3 duele të nxehta në Supersport, Gjermani-Holandë qershia mbi tortë
Gjermania dhe Holanda bëhen gati për t’u përballur për herë të katërt në harkun e 11 muajve të fundit, këtë radhë në orën 20:45 në Volksparkstadion të Hamburgut. Vitin e kaluar “tulipanët” fillimisht fituan 3-0 në Amsterdam, ndërsa më pas barazuan 2-2 në Gelsenkirchen, rezultate që influencuan ndjeshëm për të zbritur “panzer”-at një divizion më poshtë në Ligën e Kombeve, ndërsa tani bëhet fjalë për duelin e kthimit, përsa i përket ndeshjeve kualifikuese për kampionatin e ardhshëm europian. Në mars në takimin e luajtur në Johan Cruijff Arena ekipi i drejtuar nga Joachim Low e mbylli pjesën e parë me epërsinë e dy golave, megjithatë “portokallinjtë” barazuan pak pasi u mbush një orë lojë. Pikërisht në fund lojtari i krahut Nico Schulz realizoi një gol tepër të rëndësishëm që i dha “mannschaft”-it 3 pikët dhe fitoren e parë brenda në Holandë, pas plot 23 vjetësh.
Grupi C kryesohet vërtet nga Irlanda e Veriut, por bardhjeshilët kanë zhvilluar një ndeshje më tepër, ndërkaq Gjermania pozicionohet në vendin e dytë me 100% të pikëve, pas tre sfidave të para, ndërsa Holanda ndjek nga pas me 3 pikë të grumbulluara në dy ndeshjet e luajtura. Gjermania ka kthyer faqe dhe duket se e ka lënë prapa dështimin në Nations League, madje 3 herë Kampionët e Evropës ia kanë dalë mbanë për të zhbllokuar cdonjërën nga tre ndeshjet e fazës së grupeve brenda 15′ të para, madje skuadra e drejtuar nga Joachim Low ka arritur të shënojë në cdo pjesë loje, në këto tre takime.
Në krahun tjetër, ky duel paraqet një mision tepër të vështirë për Holandën, që nuk ka fituar brenda kohës së rregullt asnjë nga tre sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet, për më tepër Gjermania nuk humbet një ndeshje eliminatore në shtëpi, në botëror apo evropian prej plot 12 vjetësh, e që nga ajo kohë “mannschaft”-i numëron 24 fitore dhe vetëm 4 barazime gjithsej. Po në orën 20:45 do të luhet gjithashtu edhe takimi tjetër Sllovaki-Kroaci. Ndeshja është e vlefshme për Grupin E, grup ku këto dy vende qëndrojnë pranë e pranë në kuotë të njëjtë pikësh 6, pra vetëm 3 pikë poshtë Hungarisë, që ka luajtur një ndeshje më shumë. Bëhet fjalë për një grup tepër të ekuilibruar, sepse nënkampionët e botës janë thyer 2-1 në Budapest, pikërisht nga përfaqësuesja maxhare, ndërkaq Sllovakia ka mposhtur Hungarinë 2-0 në Trnava por është mundur 1-0 në Cardiff nga Uellsi.
Takimi do të mbahet pikërisht në City Arena të Trnavës dhe vlen të theksohet fakti që “falkonjtë” nuk fitojnë një përballje ndaj Kroacisë prej plot 21 vjetësh. Interes ngjall gjithashtu edhe takimi Slloveni – Poloni, që do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin Stozice të Ljubljanës. Ndeshja është e vlefshme për Grupin G, ku Polonia kryeson me pikë të plota. Katër fitore në katër sfidat e para për “bardhekuqtë”, ndërsa Sllovenia në anën tjetër ka grumbulluar vetëm 5 pikë në 4 ndeshjet e para. Skuadra drejtuar nga veterani Matjaz Kek duhet patjetër të shmangë disfatën, për të mos humbur akoma më shumë terren në një grup që konsiderohet si tepër i ekuilibruar, natyrisht duke lënë mënjanë përfaqësuesen e Polonisë, sidoqoftë kurioz është fakti që të vetmen fitore në përballjet kompetitive ndërmjet këtyre dy vendeve e ka arritur pikërisht Sllovenia, që një dekadë më parë fitoi në Celje 3-0, në ndeshjet eliminatore të botërorit të Afrikës së Jugut.



