Kategoria Superiore

Nga Tirana te Laçi, shpërblehen skuadrat që nuk ndryshuan në pankinë

Tirana është skuadra e momentit, me një fillim kampionati të suksesshëm që ka bërë që të dalin në pah vlerat e skuadrës dhe individëve. Njeriu i momentit, Grent Halili, kryegolashënuesi i papritur dhe patjetër, meritë edhe për lojtarët e ardhur verën e kaluar, që i kanë dhënë tjetër dimension skuadrës, Presidentin Halili që ka investuar dhe drejtuesit që kanë goditur si duhet në merkato me emrat dhe lëvizjet në kohën e duhur.

E megjithatë në tortën e suksesit, harrohet dikush shumë i rëndësishëm, Ardian Mema. Trajneri ka padyshim meritën e tij dhe suksesi i kësaj Tirane i dedikohet edhe atij, që e mori drejtimin e skuadrës në një moment kritik sezonin e kaluar. Nuk duhet harruar se pavarësisht vështirësive, oshilacioneve dhe brishtësisë në mbrojtje, edhe Tirana e sezonit të kaluar luante mire, ishte një skuadër sulmuese, që gjente golin dhe prodhonte futboll të bukur.

Natyrisht me mangësitë në organikë, presionin e një gare asfiksuese për mbijetesë dhe rrëshqitjet e këmbës, herë pas here gjërat ishin të vështira, por këtë vit situata është ndryshe. Me më shumë elementë në dispozicion, e pse jo edhe më tepër eksperiencë, Mema ka ditur të ndërtojë një skuadër entuziazmuese, por ky sukses i ka rrënjët që sezonin e shkuar, kur nisi t’i jepte formë kësaj loje.

Vendimi i drejtuesve për të vazhduar me të, është padyshim ai i duhuri, ndërkohë që shikon që fenomeni i vazhdimësisë aq të munguar në stol, nuk shpërblen vetëm Tiranën. Nuk mund të jetë rastësi që skuadrat më efikase në këtë fillim kampionati, janë ato që ju dhanë besim trajnerëve, duke zgjedhur vazhdimësinë e projektit.

Teuta e vendit të dytë me Bledi Shkëmbin, që ndjek me vetëm dy pikë më parë bardheblutë, apo edhe Bylisi i vendit të tretë që falë vazhdimësisë me Dovedan ka një skuadër më ide të qarta dhe di se çfarë kërkon në fushën e lojës. Edhe Laçi i Starovës, trajnerit tjetër që mbyll grupin e të mbijetuarve nga sezoni i kaluar, ka ditur të gjejë kthesën pas dy ndeshjeve të humbura, me barazimin me Kukësin e fitoren me Partizanin. Është vetëm fillimi i kampionatit dhe ndoshta jo të gjithë do të arrijnë aty ku duan, por vazhdimësia deri më tani shpërblen në Superiore, si një kujtesë për të vlerësuar më shumë rolin e trajnerit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency