Kategoria Superiore

Duka, takim me presidentët e klubeve për licencimin

Në fund të sezonit të kaluar, ashtu si në të tjerët para tij, makthi ka qenë se cilat prej skuadrave janë pajisur me licencën për të luajtur në Europë. Verën që sapo kaloi enigma e madhe ishte se cilat prej skuadrave do të plotësonin kriteret për të marrë pjesë në kampionatin e Kategorisë Superiore.

Licencimi i klubeve prej vitesh është kthyer në një problematikë të spikatur të futbollit shqiptar me Federatën që ndonjëherë i është dashur të tolerojë për të mos cënuar garën. Ndoshta për të gjitha këto arsye, këtë herë procesi i licencimeve për sezonin 2020-2021 fillon zyrtarisht që këtë të enjte.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të zhvillojë një takim me të gjithë presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore, ku fokusi do të jetë pikërisht te procesi i Licencimit dhe rritja e kapaciteteve organizative dhe menaxheriale të klubveve. Vetë takimi i nivelit më të lartë lë të kuptosh se institucioni i futbollit shqiptar është i vendosur të mos bëjë më lëshime, siç mund të ketë ndodhur në të kaluarën sa i përket plotësimit të kritereve kur i është dashur të mbyllë një sy për të mos cënuar garën, diçka për të cilën klubet tanimë duhet të jenë plotësisht të ndërgjegjësuara.

Për këtë arsye, gjatë gjithë vitit, siç njofton vetë në komunikinim zyrtar Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me ekspertë të UEFA-s do të organizojë një seri trajnimesh me synim rritjen e aspektit organizativ dhe një menaxhim më të mirë nga klubet, për të gjeneruar më shumë të ardhurave, si dhe rregullimin e gjithë aspekteve juridike sa i përket licencimit.

Po ashtu do t’i mëshohet fort edhe organizimit të akademive si një aset i rëndësishëm për klubet, lidhur edhe me vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-ë, që do të shpërblejë financiarisht klubet në lidhje me trajnimin e të rinjve, vendim që pritet të ketë një impakt të rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e klubeve të futbollit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency