Lajme

Drita dhe Gjilani shpërthejnë me fitore të thella, ngjeshet kreu

Drita dhe Gjilani përmbushin pritshmëritë në javën e tetë të IPKO Superligës së Kosovës. “Intelektualët” shkatërruan 5-1 Vushtrrinë në Gjilan, ndërsa “Skifterët” reaguan në mënyrën e duhur pas humbjes në derbi, duke triumfuar 1-4 në fushën e Flamurtarit. Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu me këtë sukses ngjitet në krye të klasifikimit me 17 pikë, aq sa ka grumbulluar Llapi dhe Ballkani, ndërsa të besuarit e Gentian Mezanit renditen të pestët, me vetëm 2 pikë më pak.

Sa u përket kronikave të ndeshjeve, ajo e zhvilluar mes Dritës dhe Vushtrrisë nuk pati shumë histori. Pjesa e parë u mbyll 2-0, me gol të Cardosos dhe autogol të Ian. Në filli të pjesës së dytë realizuan për “Intelektualët” Haxhimusa dhe Shabani, para se Matheus të shkurtonte diferencën në 4-1 me 11-metërsh (80’). Llogaritë i mbylli Haxhimusa me golin e dytë personal dhe atë të rezultatit përfundimtar 5-1 6 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Në sfidën mes Flamurtarit dhe Gjilanit, 1-4, tre nga katër golat e “Skifterëve” i realizuan dy futbollistë që vinin nga Superiorja, dy Gerhard Progni që në pjesën e parë dhe Bedri Greca në minutën e 54-t. Krasniqi realizoi golin e nderit për Flamurtarin, para se Hajdari të vuloste fitoren e thellë të Gjilanit.

Prishtina dhe Drenica janë të vetmet ekipe që s’e kanë zhvilluar ndeshjen e xhiros së tetë, pasi që Federata e Futbollit të Kosovës vendosi ta shtyjë ndeshjen e tyre për ta ruajtur fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në gjendje të mirë për ndeshjet e Kosovës.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency