Serie A

Conte: Peticion për të më hequr yllin? Nuk janë tifozë, janë injorantë!

Nesër në mbrëmje vëmendja e botës së futbollit do të jetë në Milano, ku do të luhet derbi i Italisë, mes Interit dhe Juventusit, një sfidë kjo tejet e veçantë për trajnerin e zikaltërve, Antonio Conte, për vetë të shkuarën e tij.

Në fakt tifozët e Juventusin kanë nisur të organizojnë një peticion që synon t’i heqë yllin në stadium, Antonio Contes, të ndikuar nga fakti që ky i fundit vendosi të pranojë ofertën e Interit, teksa pikërisht nga kjo situatë, nisi edhe konferencën e sotme trajneri zikaltër.

“Ata nuk janë tifozë, por injorantë. Ai peticion është diçka vulgare, që nuk përcjell asnjë vlerë, ndaj nuk duhet t’i jepni aspak hapësirë për t’u diskutuar. Më vjen keq edhe që Agnelli u detyrua të ndërhyjë, pasi kështu u jepet rëndësi atyre, që nuk meritojnë”, tha Conte.

Sa i përket takimit ndaj bardhezinjve, Conte tha se e shikonim si një përballje mes dy skuadrave që kryesojnë, me diferencën se njëra prej tyre fiton prej 8 vitesh, ndërsa tjetra është vetëm në fillim të rrugës për të arritur në nivele të larta.

“Do të jetë një sfidë mes dy skuadrave që kanë bërë më mirë në këto javë të para, por ne jemi në fillim të rrugës tonë dhe duhet të kemi guxim të luajmë takime të tilla, për të shkuar sa më lart. Çdo ndeshje është e rëndësishme për këtë Inter, pasi është një shkallë rritjeje nga të gjithë këndvështrimet. Nga humbja me Barcelonën kemi shumë gjëra për të mësuar, ndërsa Juve e viteve të fundit është një shembull se si duhet punuar për të shkuar te suksesi”, tha tekniku i Interit.

Sa i përket gjendjes së skuadrës, Conte tha se futbollistët kanë shpenzuar shumë energji në këto ditë, por pranoi se pret ditë më të mira pas pushimit, ndërsa për Lukakun theksoi se do të luajë vetëm nëse është në formën më të mirë.

“Lukaku do të luajë nëse është mirë, pasi në të kundërt do të hedhim në fushë dikë tjetër. Gjatë këtyre ditëve kemi pasur një kalendar shumë të ngjeshur dhe disa futbollistë kanë shpenzuar shumë energji, por pas ndërprerjes besoj se do të rritim bazën e titullarëve, pasi disa futbollistë kanë ardhur me vonesë dhe tani po përfshihen në idenë e lojës së skuadrës”, u shpreh trajneri i Interit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency