Sarri: Duam të bëjmë mirë, por nuk është sfidë vendimtare për titull
Edhe Maurizio Sarri ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të sfidës Inter-Juventus, që do të zhvillohet nesër në mbrëmje, në “San Siro”, teksa tekniku bardhezi u mundua të mos i japë rëndësi maksimale këtij takimi.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, ndaj një kundërshtari kompakt, që vendoset mirë në fushë dhe vrapon shumë,. Megjithatë nuk e shoh si vendimtare, pasi renditja e muajit tetor nuk do të thotë asgjë. Ne nuk vijmë si favoritë në këtë takim, por duam të luajmë mirë dhe të përmirësojmë disa mekanizma”, deklaroi Sarri.
I pyetur në lidhje me zgjedhjet në formacion, tekniku i Juventusit preferoi të rrijë “gojëkyçur”, ndërsa pranoi se ka filluar të shohë gjëra të mira te futbollistët e tij, që po përmirësohen “dita ditës”.
“Higuain apo Dybala? Nesër do të luajë kush të jetë më mirë. Ndaj mbrojtjes me tre të Contes, nuk duhet ndonjë recetë e veçantë, por mjafton që sulmuesi të jetë në një ditë të mirë për t’i vënë në vështirësi. Skuadra është e matur tashmë sepse fiton prej shumë vitesh, por po shoh përmirësime, pasi tani ekipi rri më lart në fushë dhe rikuperon më shumë topa”, tha Sarri.



