Rummenigge, i penduar për shkarkimin e Ancelottit 2 vite më parë
Në fund të shtatorit të viti 2017, Bayerni i Mynihut vendosi të ndërpriste bashkëpunimin me Carlo Ancelottin. Gjithçka nisi pas humbjes që skuadra pësoi ndaj PSG-së në Champions me shifrat 3-0. Asokohe, drejtori sportiv i kampionëve të Gjermanisë, Hasan Salihamidzic, u shpreh se paraqitjet e skuadrës nuk kanë përmbushur pritshmëritë e drejtuesve dhe ndeshja ndaj PSG-së tregoi qartë që ndryshimi ishte më se i nevojshëm. Më pas ka patur dhe një takim mes Ancelottit, Karl Heinz-Rummenigges dhe Salihamidzic, të cilët gjetën akordin për të ndërprerë bashkëpunimin mes tyre.
2 vite më vonë, vetë Rummenigge e pranon që është penduar në lidhje me vendimin e marrë për të larguar trajnerin aktual të Napolit. Në një intervistë të dhënë ai është shprehur se Carlo është një personazh i madh dhe një trajner i madh njëkohësisht, por vendimi erdhi si pasojë e rezultateve që kishte arritur Bayerni. Më pas elozhet e Rummenigges vazhduan, duke e cilësuar teknikun italian si një figurë që në momentet më të vështira di sesi të ruajë qetësinë dhe se vendimi për të ndërprere kontratën ishte i nxituar.



