Mema një hap larg shkarkimit, mungon në stërvitjen e Tiranës
Klodian Duro, Sulejman Starova dhe Dritan Sadedini janë 3 trajnerët e shkarkuar në këtë fazë të parë të Kategorisë Superiore, por numri i tyre mund të shkojë në 4 pasditen e sotme, pasi mund t’u bashkohet tekniku i Tiranës, Ardian Mema.
Pas humbjes së bardhebluve ditën e djeshme në Ballsh, trajneri i bardhebluve shpërtheu ndaj lojtarëve të tij, duke thënë se kanë dhuruar gola me sjelljen e tyre në fushë, një tregues ky që edhe skuadra nuk e ndjek më atë.
Gazetari i Supersport, Andi Deçka ishte pasditen e sotme në kompleksin stërvitor të bardhebluve, ku Mema mungonte në drejtimin e seancës stërvitore, ashtu siç mungonin edhe disa prej titullarëve të takimit të djeshëm.
Stërvitja drejtohej nga ndihmësit e tij, me në krye Erjon Xhafajn, ndërsa burime për Supersport thonë se tekniku Mema është në një takim me presidentin e bardhebluve Refik Halili, ku edhe po vendoset për pankinën e Tiranës.
Në orët në vijim priten edhe zhvillime të reja në lidhje me këtë çështje, por burime nga kampi bardheblu thonë se me shumë gjasa do të vijë ndërprerja e bashkëpunimit me trajnerin Ardian Mema.



