Çinari: Po përmirësohemi nga java në javë, tani të mendojmë për Kukësin
Është rikthyer titullar me Franco Lerdën dhe sulmuesi shkodran Eraldo Çinari nuk po zhgënjen, teksa sot shënoi sërish për Partizanin, në fitoren ndaj Skënderbeut, ndërsa në intervistën për emisionin “Gol pas Goli” pranoi momentin e mirë të “të kuqve”.
Shënoni sërish ju dhe Partizani fiton e ngjitet në krye?
Kam thënë se skuadra po rritet dhe jo më kot jemi në vendin e parë. Cilësia e lojës po rritet dhe janë duke ardhur edhe rezultatet. Po përgatitem maksimalisht dhe shpresoj që me këtë rendiment që kam, të ndihmoj sa më shumë skuadrën.
Cili është kundërshtari më i vështirë?
Të them të drejtën ka shumë ekipe të vështira, si Kukësi, por edhe Skënderbeu. Duhet të theksojmë që edhe Vllaznia e Bylisi kanë dalë përtej pritshmërive këtë sezon, por pa harruar Tiranën që ka një grup me eksperiencë. Megjithatë ne duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, që është ndaj Kukësit, një ekip i fortë që mund të na hapë punë.



