E zbulojnë tek Juventusi, Superkupa e Italisë sërish në Arabinë Saudite
Superkupa e Italisë do të luhet sërish në Arabinë Saudite. Edhe nuk është bërë zyrtarizimi, por ky duket se është vendimi i Serisë A.
E zbulon drejtori operativ i Juventusit, Giorgio Ricci, gjatë asamblesë së aksionarëve.
“Sa i përket Superkupës, edhe pse nuk duhet ta zyrtarizojmë ne, do të luhet në Arabinë Saudite, pak a shumë në muajin dhjetor.”
Data dhe stadiumi ende nuk janë zyrtarizuar, por nuk pritet të ketë surpriza. Kontrata e nënshkruar me arabët parashikon që 3 edicione në 5 vite do të luhen në Arabinë Saudite. Duke qenë se edicioni i parë pati sukses absolut, atëherë arabët kanë ushtruar të drejtën që edhe Superkupa e radhës të zhvillohet në këtë vend.



