Ish fantazisti i Kukësit nderon Feronikelin, i jep fitoren në Prishtinë
Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli u rikthye te fitorja dhe e bëri këtë në stadiumin “Fadil Vokrri” të kryeqytetit, ku mposhti me rezultatin 2-3 Prishtinën e Armend Dallkut.
Vendasit vinin pas një barazimi pa gola në transfertën ndaj Dukagjinit dhe bënë gjithçka për t’u rikthyer te fitorja, por ndonëse kaluan dy herë në avantazh, nuk arritën të marrin qoftë edhe një pikë.
Ahmed Januzi zhbllokoi sfidën me një penallti, duke kaluar kryeqytetasit në avantazh që në minutën e tretë, por në të 7-ën miqtë nga Drenasi u kundërpërgjigjën po me 11-metërsh, të ekzekutuar saktë nga Jean Carioca.
Në minutën e 49’ ishte Miftaraj që riktheu avantazhin për Prishtinën, ndërsa Feronikeli barazoi sërish, këtë herë me Lapidar Lladrovcin. Dy minuta nga fundi ishte sërish ish mesfushori i Kukësit, braziliani Jean Carioca, që shënoi edhe golin e dytë personal e të tretin për Feronikelin.
Me këtë fitore skuadra nga Drenasi ruan vendin e 6, por tani me 22 pikë, ndërsa Prishtina mbetet në vendin e katërt me 24 pikë, por tani sheh që Ballkani kryesues t’i largohet me 6 pikë.



