Mbyllet java e 15, fitore shprese për Flamurtarin e Vushtrrinë
Flamurtari i Prishtinës iu rikthye fitores, teksa mposhti 1-2 me përmbysje skuadrën e vendit të fundit të kampionatit, Dukagjinin, në sfidën e vlefshme për javën e 15.
Vendasit zhbllokuan sfidën në minutën e 32-të me Milicajn, ndërsa kryeqytetasit u kundërpërgjigjën në pjesën e dytë me anë të Kelmendit që barazoi në të 68-ën dhe Begollit që shënoi golin e fitores në minutat shtesë.
Fitore shprese mori edhe Vushtrria, që triumfoi 3-1 në shtëpi ndaj Ferizajt. Pas një pjese të parë në baraspeshë, vendasit shënuan 3 herë në pjesën e dytë me anë të Shalës, Raboshtës dhe Ygor, para se Karahoda të shënonte golin e vetëm për Ferizajn.
Pas javës së 15, kampionati në Kosovë kryesohet nga Ballkani e Gjilani me nga 31 pikë secila, të ndjekura nga Drita me 28 dhe Prishtina 27, ndërsa në zonën e rënies janë Flamurtari me 15, Vushtrria e Ferizaj me 12 dhe Dukagjini me 7.



