Luhen ndeshjet e 5-ta në grupe, spikasin duelet Basaksehir-Roma dhe Arsenal-Frankfurt
Europa League vjen këtë të enjte me raundin e 5-të të ndeshjeve në grupe, sfida që do të përcaktojnë shumë përsa i përket skudrave që pritet të kalojnë në fazën tjetër. Gjithçka nis që në orën 16:50. 3 takime luhen në këtë orë ku spikat padiskutim dueli që do të transmetohet në Supersport mes Krasnodarit dhe Baselit. Zvicernët janë të kualifikuar si kokë grupi por rusët luftojnë me Getafen për vendin e 2-të dhe do të bëjnë gjithçka për ta fituar këtë sfidë. Mesfushori shqiptar Taulant Xhaka nuk do të jetë pjesë e kësaj sfide për shkak se është i skualifikuar me kartona. Në orën 18:55 ndeshja më e rëndësishme është ajo mes Basaksehir dhe Romës që do të luhet në Stamboll. Skuadra turke edhe pse u mposht thellë nga Roma në ndeshjen e parë në Olimpico në mënyrë surprizë kryeson grupin J me 7 pikë, 2 më shumë se verdhekuqtë që për të vazhduar aventurën në Europa League duhet të bëjnë çmos për të fituar ndaj Istanbul Basaksehir. Edhe në grupin G situata është shumë interesante dhe një sfidë që përbën interes të madh është ajo mes zviceranëve të Young Boys dhe portugezëve të Portos.
Helvetët kanë 3 pikë më shumë se luzitanët dhe në këtë sfidë do t’u interesonte edhe një barazim, ndërkohë që për Porton nuk ka rrugë tjetër veç fitores nëse dëshiron kualifikimin. Në mbrëmje në orën 21:00, Arsenali pret Frankfurtin në një sfidë që mund të vendosë kualfikimin për më tej sidomos për topçinjtë të cilët kryesojnë grupin F dhe u mjafton edhe vetëm një barazim për të avancuar më tej. Në Supersport nuk do të mungojë as dueli mes Lazios dhe Cluj. Italianët luajnë sot shansin e fundit nga ato pak mundësi që kanë për t’u kualifikuar pas duhet të mposhtin rumunët me rezultatin 1-0 ose me 2 gola e sipër diferencë dhe më pas duhet fitojnë dhe ndaj francezëve të Rennes dhe të shpresojë që Celtic të mposhtë Cluj për të qenë Lazio skuadra që do të renditet e dyta në grupin E. Sporting-PSV Eindhoven është një tjetër takim interesant që vjen në Supersport në orën 21:00 që nuk duhet humbur pasi në Lisbonë luhen fatet e grupit D.



