Kategoria Superiore

Flamurtari provë pjekurie për Tiranën, pas fitores në derbi

Ishte një fitore e madhe, ishte një fitore e pritur prej vitesh, ishte një fitore lotësh, por, sepse gjithmonë ka një por, duhet harruar sa më shpejt. Tirana i rikthehet fushës pas suksesit në derbi dhe pret në “Selman Stërmasi” Flamurtarin, skuadrën e fundit të klasifikimit, por 3 pikët vlejnë njëlloj si ndaj Partizanit ashtu dhe ndaj vlonjatëve, dhe mbi të gjitha momenti i mirë i krijuar nga suksesi në “Air Albania” duhet shfrytëzuar për vazhdimësinë.

Fitorja ndaj rivalëve të përjetshëm ka rritur kuotat e Emanuel Egbo dhe shumëkush nga tifozët e dëshiron si trajner jo më të përkohshëm, ndërsa edhe nigeriani ndoshta grishet nga ideja, por në dy takimet e fundit, ndaj Flamurtarit dhe Laçit, mund të bëjë më tepër për të mbushur mendjen e drejtuesve.

Ish portieri bardheblu në derbi bëri gjërat e thjeshta, vuri secilin në rolin e tij, por natyrisht vendimtare ishte fryma, që nuk duhet të humbasë. Flamurtari, pavarësisht problemeve, vjen në kryeqytet pasi ka ndalur Bylisin, ndërsa në fazën e parë “i hoqi një gur kalasë” që po ndërtonte Ardian Mema duke befasuar bardheblutë me një barazim të arritur në minutën e 92-të.

E sigurt është se vlonjatët, pavarësisht problematikës në organikë e menaxhim, kanë karakter e grintë për të shitur dhe Tirana nuk ka luksin për ta marrë lehtë. Nëse në derbi ishte një provë karakteri, kjo për ta është një provë pjekurie, veti e domosdoshme nëse përfaqëson një klub që mbush 100 vjeç.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency