Partizani-Flamurtari, Sormani kërkon fitoren e 2-të rresht!
Kalendari erdhi si një varkë shpëtimi për Partizanin pikërisht në çastin kur objektivi madhor u duk se po përfundonte në rrymën e oqeanit. Fitorja e pastër në Gjirokastër ndaj Luftëtarit e ardhur jo thjeshtë nëpërmjet një interpretimi taktik e teknik pozitiv por edhe e frymëzuar nga një grintë që nuk ish parë gjithnjë këtë sezon ka rikthyer qetësinë tek demat. Kundërshtari i rradhës po ashtu si Luftëtari nuk hyn në listën e skuadrave të pakalueshme, përkundrazi është një tjetër burim pikësh. Të kuqtë do të presin Flamurtarin dhe shansi është i përsosur për të marrë sërish maksimumin. Formula me Çinarin pas krahëve të Solomon e Bardhit funksionoi në Gjirokastër dhe me shumë gjasa do të përdoret sërish edhe në këtë sfidë.
Vend për nënvlerësim nuk ka, dhe për të larguar çdo grimcë vetëkënaqësie mjafton që tekniku italian të shfaqë në monitor ndeshjen e 10 nëntorit kur nën drejtimin e bashkëkombasit të tij Lerda, Partizani la dy pikë në Vlorë. Në të tilla sfida të motivosh ekipin është detyra më e vështirë, por një harakiri ndaj vlonjatëve do të përkthehej në thuajse dorëzim për Partizanin. Ndërkohë që nuk ka se çfarë të humbasë skuadra kuqezi, 6 pikë në renditje dhe 21 pikë nga zona play-out janë të parekuperueshme edhe sikur me shkopin magjik situata financiare të ndryshonte nga nata në ditë, në këtë mënyrë pa presionin e rezultatit dhe me dëshirën për t’u shfaqur sa më shumë në vitrinë, lojtarët e Flamurtarit mund të rezervojnë edhe një surprizë për kampionët në fuqi..



