Muça: Kukësi-Tirana? Ekipi që fiton do jetë më pranë titullit
Seria e 9 fitoreve radhazi tek Tirana përfundoi pas barazimit 1-1 me Skënderbeun, që nga jashtë u perceptua një ndjenjë zhgënjimi e cila gjeti konfirmim edhe në fjalët e presidentit Halili.
Megjithatë nuk ka vend as për dramë e as për fytyra të ngrysura, përkundrazi në raste të tilla herët e vonë do të vij çasti kur do të duhet të kënaqesh me një barazim.
Ky është koncepti i një prej futbollistëve me më shumë përvojë dhe me më shumë lidhje me fanellën bardheblu, Gentian Muca, i cili me qetësinë që e ka karakterizuar gjithnjë e pranon pa asnjë grimcë zhgënjimi ndalesën ndaj korçarëve.
“Nuk do të thotë asgjë, pasi më parë kemi barazuar edhe me skuadra që tashmë e kanë prerë biletën për në Kategorinë e Parë. Ne e prisnim që një ditë do të ndaleshim dhe fakti që kjo erdhi pas 7 apo 8 fitoresh, do të thotë që nuk duhet përjetuar si dramë”, tha Muça.
Të premten Tirana do të sfidoj një prej rivalëve kryesorë në garën për titull, Kukësin. Do të jetë apo jo vendimtare? Vetë 32-vjeçari nuk e konsideron të tillë, megjithëse ekipi që do ti marrë maksimumin atij dueli do të ketë një bonus të madh në garën për trofeun.
“Mendoj se është shumë herët për të thënë vendimtare për fatet e sezonit, por kjo ndeshje do të jetë një test për të dyja skuadrat dhe ajo që do dalë më mirë, do jetë favorite kryesore për titullin”, deklaroi futbollisti kryeqytetas.
Në dy fazat e para bardheblutë janë gjunjëzuar përballë Kukësit, ndeshja nuk i ngjan ndeshjes, ndërkohë që vlerësimi i qendërmbrojtësit për blutë është në shkallën më të lartë.
“Në “Elbasan Arena” kemi qenë ne dominuesit, ndërsa në ndeshjen tjetër kemi qenë në avantazh, por më pas patëm probleme me dy lojtarët kryesorë. Ekipi I Kukësit është mjaft i mirë dhe ne e respektojmë, por më tepër do të respektojmë veten tonë”, tha Muça.
Do të luhet në “Air Albania” me Kukësin pritës, megjithatë gjasat janë të shumta që Tirana të ndjehet në shtëpi shumë më shumë se kundërshtari, kjo për shkak të dashurisë që tifozët kanë kundrejt skuadrës së tyre
“Sigurisht që do të ketë më shumë tifozë të Tiranës në shkallët e stadiumit dhe ky është një bonus për ne, pasi kemi gjithmonë përkrahjen në numër të madh të fansave bardheblu”, deklaroi mbrojtësi bardheblu.
Titulli kampion mungon nga viti 2009, jashtëzakonisht shumë për një klub që e kishte të vështirë të pranonte vendin e dytë për më shumë se një sezon. a do të rikthehen bardheblutë tek titulli, përgjigjen e jep një person i cili ka kaluar pengesa më të mëdha duke u bazuar tek besimi e shpresa.
“Shpresa nuk vdes kurrë dhe shpresoj që të bëhemi të gjithë bashkë, që kjo gjë të realizohet”, tha Muça.



