Mediat franceze e angleze “zbulojnë” trajnerin e ardhshëm të Milanit
Ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë, sot mediat franceze dhe ato britanike kanë konfirmuar se mes Milanit dhe trajnerit gjerman Ralf Rangnick është firmosur një para-kontratë, sipas të cilës ky i fundit do të ulet në pankinën e kuqezinjve nga vera e këtij viti.
Ish trajner i Leipzigut, që ngjiti gjermanët në elitën e futbollit, Rangnick aktualisht mban rol menaxherial në po të njëjtin klub, ndërsa te Milani pritet të vijë si trajner dhe drejtor sportiv njëkohësisht, pasi do të kontrollojë vetë edhe merkaton.
Ndonëse pak ditë më parë Paolo Maldini hodhi poshtë mundësinë që Rangnick të ulet në stolin kuqezi, mediat këmbëngulin se me ardhjen e gjermanit, edhe ish kapiteni i Milanit bashkë me Boban pritet të largohen pasi nuk do të ketë më vend për ta.
Gjithashtu theksohet se në para-kontratën që Ivan Gazidis ka firmosur me Ralf Rangnick, është parashikuar një dëmshpërblim i majmë, nëse Milani vendos të mos ia besojë këtë rol gjermanit në fund të sezonit.



