Beckham mbështet Solskjaer: Ole si Ferguson, mbron lojtarët dhe United
David Beckham vlerëson punën që po bën te Manchester United ish-shoku i tij i skuadrës, Ole Gunnar Solskjaer. Trajneri norvegjez, i cili është në sezonin e tij të parë të plotë si menaxher i United (i pesti, aktualisht, në Premier), pasi mori përsipër në dhjetor 2018 këtë detyrë, ka pasur herë pas here periudha të vështira.
“Djajtë e Kuq” në këtë sezon kanë mposhtur Manchester Cityn, Leicesterin, Spurs-at dhe së fundmi Chelsea-n, por janë tri pikë larg zonës Champions. Pavarësisht sezonit me ulje-ngritje Beckham e mbështet dhe vlerëson punën që po bën Solskjaer.
“Mendoj se ai po bën një punë të mirë. Fakti që ai vazhdon të jetë pozitiv për lojtarët, do të thotë se ka mësuar nga shefi (Sir Alex Ferguson). Ai kurrë nuk do të kritikonte një lojtar të skuadrës së tij dhe Ole po vepron njësoj. Solskjaer ende po mëson, por ai do t’i mbrojë lojtarët e tij dhe do të mbrojë Manchester United. Të gjithë tifozët do të jenë pas tij, sepse ai është një person i shkëlqyer, dhe për shkak të asaj që ka bërë për Manchester United ndër vite.”

Manchester United ka kaluar kohë të vështira që kur Ferguson u largua në verën e vitit 2013 dhe nuk e ka fituar asnjëherë Premier League-n në shtatë vitet e fundit. Rivalët e përjetshëm të Liverpoolit presin thjesht fundin e sezonit për të ngritur lart trofeun e kampionit, por Beckham beson se “Djajtë e Kuq” do të kthehen në majë në një të ardhme të afërt.
“Mendoj se kur je një klub aq i madh sa Manchester United dhe ke pasur aq shumë suksese, gjithmonë do të kesh një moment rënieje, që në këtë rast e shfrytëzuan ekipe të tjera. Pritej një periudhë tranzicioni pas largimit të Sir Alex Fergusonit. United kishte David Gill si drejtues dhe lojtarë si Giggsy (Ryan Giggs), Scholesy (Paul Scholes) dhe Nevs (Gary dhe Phil Neville) që u tërhoqën nga futbolli, ndaj pritej të kishte rënie. Le të shpresojmë se nuk do të zgjasë më gjatë, sepse jemi një nga klubet më të mëdha në botë dhe jo shumë klube e kanë traditën tonë.”



