Kategoria Superiore

Skënderbeu-Kukësi dhe Vllaznia-Partizani, “fitoren” e pret… Tirana

Luhen këtë të hënë, në orën 18:00, dy takimet e mbetura të javës së 26-të të Kategorisë Superiore, Skënderbeu-Kukësi dhe Vllaznia-Partizani, rezultatet e së cilave do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në garën e titullit. Dy takime me shumë rivalitet, ku çdo rezultat është i pranueshëm.

Skënderbeu-Kukësi: Në Korçë luhet një ndeshje që për shumë vite shërbente edhe si vitrinë për futbollin shqiptar. E tillë në njëfarë mënyrë konsiderohet edhe sot, nëse merret parasysh ecuria e korçarëve në javët e fundit. Ekuilibër i plotë në përballjet e dy fazave të para, që përfunduan 1-1 dhe 0-0. Takim i veçantë për trajnerin e Kukësit Orges Shehi, që kthehet si kundërshtar në qytetin ku shkroi historinë si futbollist e ku nisi karrierën si trajner. E pranoi detyrën e trajnerit të Kukësit me kushtin e fitimit të titullit, premtim që mori një tronditje jo të vogël nga barazimi me Vllazninë. Nëse nuk fiton as ndaj Skënderbeut, atëherë objektivi titull do të kompromentohej rëndë, për të mos thënë se do të jetë e pamundur për t’ia rrëmbyer kreun Tiranës në fazën e fundit.

Nga ana tjetër, Skënderbeu, edhe pse nuk mund të marrë pjesë në Europë (pret një përgjigje nga Gjykata Federale në Zvicër), po respekton në mënyrë dinjitoze veten dhe kammpionatin, aq sa në tri përballjet e fundit ka marrë po kaq fitore.

Vllaznia-Partizani: Në fundin e vitit të kaluar, Partizani dhe Vllaznia kishin të tjera plane për pjesën e mbetur të sezonit. Partizani ëndërronte titullin, Vllaznia Europën. Të dyja dukeshin më se të arritshme dhe ecuria e skuadrave e premtonte diçka të tillë. Pas një faze, si Partizani ashtu dhe Vllaznia e gjejnë veten me objektiva të ridimensionuar. Sigurisht që për kryeqytetasit titulli matematiksht është ende i arritshëm, por me Tiranën e shkëputur ndjeshëm duket shumë i vështirë dhe Europa gjithashtu është vendosur në rrezik, ndërsa për Vllazninë, më tepër se Europa, mendohet të shmanget play off-i për Kategorinë e Parë.

Të dyja skuadrat nuk po kalojnë një moment të mirë, Vllaznia nuk fiton prej dy ndeshjesh, Partizani prej tri dhe sfida e “Loro Boriçit” për to merr vlerë dhe për këto objektiva dytësorë. Partizani, që pati fituar në fazën e parë 3-1 në Shkodër, në rast se nuk kthehet te suksesi ndaj kuqebluve rrezikon të rrëshkasë më tepër në renditje dhe madje mund ta gjejë veten të përfshirë në vallen e një vendi në play-off, ndërkohë që Vllaznia mund të shikojë shkëputjen e skuadrave që qëndrojnë mbi të në rast të një disfate. Ndaj në këto kushte kjo sfidë mes dy formacioneve merr tashmë vlerën e një finaleje, që ja vlen të quhet si e tillë, në një sezon që u komplikua në ecuri e sipër.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency