Ja si mund të jepen verdiktet e kampionatit italian, nëse vendoset për Play Off
Ndërprerja e Serisë A deri më 3 prill ka shkaktuar një kaos të vërtetë për kampionatin italian të futbollit, pasi nëse gjithçka do të rikthehet në normalitet në këtë datë, duket e pamundur që të mbyllet kompeticion deri më 31 maj dhe të shpallen verdiktet e sezonit.
Pikërisht për këtë arsye, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Massimo Gravina, por edhe bordi i këshilltarëve, po marrin gjithmonë e më shumë në konsideratë organizimin e një faze Play Off, për të përcaktuar verdiktet e sezonit në periudhën e mbetur.
Kështu opsioni më i mundshëm për të mbyllur sezonin, është një fazë Play Off me 4 skuadrat e para të renditjes, për të përcaktuar fituesin e kampionatit, sipas formulës vendi i parë përballet me vendin e katërt dhe vendi i dytë me të tretin.
Bazuar në renditjen aktuale mund të kemi sfidat Juventus-Atalanta dhe Lazio-Inter, të cilat mund të luajnë edhe me sistemin vajtje-ardhje, për të përcaktuar më pas dy skuadrat finalist që do të diskutojnë titullin kampion.
E njëjta formulë pritet të përcaktohet edhe për rënien nga kategoria, ku do të garojnë Genoa, Lecce, Spal dhe Brescia, ndërsa vetëm fituesja do të mund t’i shpëtojë rënies në Serinë B dhe tre të tjerat do t’i japin lamtumirën ligës së më të fortëve.
Dyshime ka ende për zonën Europa League, pasi ideja më konkrete është që në këtë kompeticion të marrin pjesë ato skuadra që renditen në vendin e pestë dhe të 6 aktualisht, ose thënë ndryshe Roma dhe Napoli.
Nëse vendoset për këtë version, atëherë Seria A do të mund t’i japë verdiktet shumë shpejt dhe do të ketë kohë si për angazhimet europiane, ashtu edhe për mbylljen e Kupës së Italisë, ndërsa edhe Roberto Mancini “fërkon duart” pasi mund të ketë gati lojtarët që do grumbullojë për Europianin, të paktën një javë më herët nga 31 maji.
Kujtojmë që një vit më parë, në një intervistë për mediat italiane, presidenti i Federatës Italiane, Gravina pati hedhur idenë e një Play Off-i, duke thënë se do të ishte më mirë që pas fazës së parë, 10 skuadrat e para të renditje të luftonin për titullin dhe Europën dhe 10 të tjerat të luftonin për mbijetesë.



