Starton faza e fundit e sezonit, Tirana udhëton në Gjirokastër, Partizani pret Kukësin
Kategoria Superiore do të rikthehet sërish në fushë pasditen e sotme, teksa në orën 17:00 do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 28, që është njëkohësisht edhe java e parë e fazës së fundit të sezonit 2019-2020.
Kështu Tirana kryesuese, pasi iu nënshtrua tamponëve dhe rezultoi që të gjithë futbollistët e stafi ishin negativë ndaj koronavirusit, ka udhëtuar drejt Gjirokastrës, ku pasditen e sotme do të përballet me Luftëtarin e vendit të parafundit.
Në letër bardheblutë janë superfavoritë, duke qenë se po kalojnë një formë mjaft të mirë dhe për më tepër, do të përballen me një skuadër të mbushur me elementë të rinj dhe pa shumë eksperiencë në Superiore.
Por vëmendja maksimale do të jetë në kryeqytet, ku do të luhet edhe kryesfida e javës, Partizani-Kukësi, e cila do të startojë gjithashtu në orën 17:00 në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e Supersport 2.
Kampionët në fuqi po kalojnë një moment mjaft të vështirë dhe jo vetëm që kanë komplikuar objektivin për një vend në Kupat e Europës, pro tani rrezikojnë të zbrfesin në vendin e tetë, ku për mbijetesën do të duhet të luajnë sfidë Play Off-i.
Trajneri Sormani rrezikon seriozisht shkarkimin, ndonëse ka ardhur me një kontratë afatgjatë te “të kuqtë”, të cilët do të kenë sot misionin e vështirë të bëjnë kthesën ndaj një prej skuadrave më cilësore në kampionat Kukësit.
Këta të fundit janë 9 pikë larg kreut, por kur kanë mbetur edhe 9 ndeshje për t’u luajtur, vijojnë të besojnë te titulli kampion, ndaj vijnë në kryeqytet me detyrën për të marrë tre pikët dhe për të shpresuar në ndonjë hap fals të Tiranës.
Një tjetër sfidë mjaft interesante pritet të jetë edhe ajo mes Laçit dhe Vllaznisë, ku kurbinasit vijnë pas një barazimi 1-1 përballë Teutës në shtëpinë e tyre, ndërsa shkodranët pas triumfit 1-3 në Vlorë përballë Flamurtarit.
Laçi do një vend në zonën Europiane dhe pas ndalesës ndaj Teutës, e ka detyrim fitoren ndaj Vllaznisë, që nga ana tjetër vjen me shumë telashe sot, duke qenë se nuk do të ketë në pankinë as trajnerin Mirsad Jonuz, i dorëhequr dy ditë më parë.
Sfidat e tjera të javës së 28 janë edhe ato mes Bylisit e Teutës në “Adush Muça”, si dhe mes Flamurtarit e Skënderbeut, në Vlorë, të cilat gjithashtu do të startojnë në po në 17:00 dhe do të transmetohen në ekranin e Supersport.



