Zappacosta drejt rikuperimit, Roma i ofron një tjetër shans për të treguar veten
Davide Zappacosta iu bashkua Romës verën e kaluar në huazim, me synimin për të bindur drejtuesit e klubit verdhekuq që ta transferojnë përfundimisht në kampionatin italian në fund të sezonit, pasi te Chelsea nuk po gjente hapësira për të luajtur.
Megjithatë futbollisti ishte vërtetë i pafat në aventurën e tij verdhekuqe, pasi pësoi një dëmtim që në start të sezonit dhe iu desh të qëndrojë jashtë fushave të lojës për shumë muaj, ndërsa tani duket se është në rrugën e mbarë për t’u kthyer në fushë.
Pikërisht për këtë arsye, Drejtori Sportiv i Romës Petrachi ka kontaktuar me klubin londinez për t’i kërkuar zgjatje të huazimit edhe për një tjetër sezon, dhe duket se ka gjetur miratimin e tyre, duke i dhënë kështu Zappacopstës një tjetër shans për të treguar veten te verdhekuqtë.
Mbrojtësi 28-vjeçar u transferua në kampionatin anglez në verën e 2017-ës, pasi u kërkua me ngulm nga Antonio Conte, por me largimin e teknikut italian, hapësirat për të u reduktuan ndjeshëm.



