Zbulohet plani i UEFA-s për Champions dhe Europa League, pritet miratimi të mërkurën
Ditën e mërkurë pritet të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, ku do të miratohet edhe formati për të çuar deri në fund kompeticionet europiane, Champions dhe Europa League, të cilat kanë mbetur pezull që prej muajit mars, kur shpërtheu pandemia Covid-19.
Mediat kanë zbuluar formulën që qeveria europiane e futbollit do t’i paraqesë Komitetit Ekzekutiv për miratim, ndërsa bëhet fjalë për një ”Final 8” në Portugali, me të 8 skuadrat që do të kualifikohen për në çerekfinale.
Plani parashikon që ndeshjet e pazhvilluara ende të fazës së 1/8-ave, si Juventus-Lyon, Barcelona-Napoli, Bayern Mynih-Chelsea dhe Manchester City- Real Madrid, të luhen më 7 dhe 8 gusht, për të plotësuar skuadrat çerekfinaliste.
Më pas sfidat çerekfinale do të luhen me ndeshje teke më 12,13, 14 dhe 15 gusht, dhe në të njëjtën mënyrë do të luhen edhe gjysmëfinalet, më 18 dhe 19 gusht, për t’i hapur udhë finales më 23 gusht.
Sfidat janë parashikuar të luhen në stadiumet “Da Luz” dhe “Jose Alvalade”, të dy të pozicionuar në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, për të shmangur udhëtimet e skuadrave, të cilat do të vendosen atje që para datës 12 dhe do të qëndrojnë për sa kohë do të jenë aktive në kompeticion.
I njëjti format është parashikuar edhe për Europa Leaguen, por këtë herë në Gjermani dhe saktësisht në 4 qytete të ndryshme si Duisburg, Gelsenkirchen, Dusseldorf dhe Koln, ndërsa edhe ndeshjet e mbetura të fazës së 1/8-ave si Inter-Getafe e Roma Sevilla do të zhvillohen me ndeshje teke.



