Serie A

“Zaniolo nuk është i dëmtuar”, mediat italiane zbulojnë çfarë ka ndodhur me fantazistin

Për të dytën ndeshje radhazi Nicolo Zaniolo nuk do të jetë në dispozicion të Romës, pasi zyrtarisht klubi verdhekuq ka njoftuar për probleme fizike të fantazistit, por ky version nuk bind mediat italaine, të cilat kanë zbuluar të tjera prapaskena.

Kështu ka qenë “La Repubblica” që ka zbuluar çfarë ka ndodhur mes fantazistit 21-vjeçar dhe klubit verdhekuq, ndërsa në artikullin e publikuar pasditen e sotme, thuhet se gjithçka ka nisur pas një topi të humbur nga Zaniolo në ndeshjen ndaj Veronës.

Menjëherë ndaj tij reagoi mbrojtësi Mancini, ndërsa pas ndeshjes edhe trajneri Fonseca kritikoi publikisht fantazistin, por sipas asaj që tregon “La Repubblica”, Zaniolo është sulmuar ashpër edhe nga shokët e skuadrës në dhomat e zhveshjes, në përfundim të takimit.

Kaq ka mjaftuar që 21-vjeçari të ndjehej i braktisur dhe “i ndarë në shtëpi”, ndërsa të nesërmen i ka komunikuar trajnerit Fonseca se nuk dëshiron të luajë dhe se ka vendosur të largohet nga klubi kryeqytetas.

Drejtuesit e verdhekuqve kanë planifikuar një takim me agjentin e Zaniolos, Vigorello këtë të enjte, ku pritet të tentohet paqja mes klubit dhe futbollistit, por duket e vështirë që gjithçka të rikthehet si më parë.

Pikërisht për këtë arsye në Itali janë të bindur se e ardhmja e Zaniolos do të jetë larg Romës, pasi për futbollistin interesohen Juventus e Interi në Itali, por edhe Tottenhami në Angli, me Jose Mourinhon që e pëlqen shumë fantazistin italian.

Megjithatë Roma dëshiron t’i mbajë të fshehura problemet, pasi nëse Zaniolo del hapur dhe kërkon largimin, atëherë askush nuk do të ofrojë më shumë se 40-50 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa verdhekuqtë pretendojnë të përfitojnë të paktën 70 milionë euro.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency