Fitorja vjen nga stoli, Atalantës i mjafton një gol për të marrë vendin e dytë
Vetëm tre ditë pas barazimit 1-1 në transfertën e “Bentegodit” ndaj Veronës, Atalanta ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 1-0 përballë Bolognës dhe të marrë një tjetër 3-pikësh, që e ngjit në vendin e dytë të renditjes.
Në një ndeshje të luftuar shumë në mesin e fushës, zikaltrit e Gasperinit vuajtën jo pak përballë një Bologne që vinte e nervozuar nga humbja e thellë përballë Milanit dhe donte të ndryshonte menjëherë faqe.
Pas një pjese të parë në balancë totale, Atalanta largoi mesfushorin kroat Pasalic për sulmuesin kolumbian Luis Muriel, si për të treguar se dëshironte ta fitojë me çdo kusht këtë takim dhe ishte pikërisht numri 9’ që vendosi fatin e takimit.
Pas një aksioni të shpejtë në krahun e djathtë të sulmit, topi përfundoi në qendër te Duvan Zapata, i cili preferoi të shërbejë mbrapa për patriotin e tij dhe Muriel gjuajti saktë, duke mposhtur portierin Skorupski.
Bologna provoi të reagojë për të shmangur humbjen, por përveç një kontrolli shterpë të topit, nuk arriti të shfaqej asnjëherë kërcënuese në kuadratin e Gollinit dhe rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale të La Pennas.
Atalanta konfirmohet kështu skuadra më e mirë e momentit në Itali, me 23 pikë në 9 ndeshje, por lajmi i keq është që do të duhet të udhëtojë drejt Milanos me mungesën e sigurt të trajnerit Gasperini dhe me shumë mundësi edhe të mbrojtësve Gjimshiti e Palomino, të cilët lanë fushën e lojës në minutat e fundit për shkak dëmtimi.



