Gega nis punën me Kukësin, Valon Ethemi pritet të khehet për Europën
Herën e fundit që Skënder Gega kishte zbritur në kompleksin Football Republic” ishte trajner i Partizanit. Një vit më pas, ekipi ka ndryshuar, ngjyrat kanë mbetur po ato. Në stërvitjen e parë të Kukësit të Gegës, që nisi përgatitjet për sezonin e ri, 56-vjeçari për zgjedhje dhe të uniformës së klubit ishte i veshur sërish me të kuqe, por objektivat tashmë e lidhin me klubin verilindor, për ta rikthyer te titulli kampion, duke kaluar fillimisht mes ndeshjeve të Europës. Një fillim faze përgatitore me pak emra në dispozicion, ku spikatnin afrimet e reja, mes të cilave dhe Gashi, një zgjedhje personale e trajnerit, për një ekip që ka ende nevojë të kompletohet.
Gega e nisi seancën stërvitore me një fjalim të shkurtër për ekipin, ku nuk mungoi as një mik i veçantë që, dhe pse i paftuar, jo vetëm u paraqit i pari në fushë, por gjithashtu ishte dhe ndër më aktivët me pjesën tjetër të ekipit, si për të ngritur paksa moralin dhe për sfidat europiane, të cilat vetë trajneri do të preferonte t’i luante me dy takime.
Në konferencën për shtyp të prezantimit, Gega shmangu pyetjen për afrimin e lojtarëve të Partizanit te Kukësi, por emri i Telushit, sidomos, është bërë goxha i fortë në zërat e merkatos së kësaj vere, për një kalim nga ngjyrat e kuqe në ato blu.
Në Europë, Kukësi do të ketë dhe Valon Ethemin, që dhe pse kaloi vizitat mjekësore në Poloni për çështjet kontraktuale, do të jetë i detyruar të luajë në Europë me nënkampionët.
Ky ishte vetëm prezantimi i parë. Gega ka treguar gjithmonë se në punën e tij është serioz dhe rezultativ. Te Kukësi shpresojnë shumë që ai të jetë i duhuri për titullin e dytë në histori. Ndoshta fakti që e nisi nga i njëjti kompleks, ku u largua, mund të jetë një ogur i mirë për të vazhduar atë që Gega la përgjysmë në Shqipëri: të rifitojë sërish titullin kampion. Më parë duhet të mendojë për Europën.




