Udinese konfirmon Gottin në pankinë, Torino prezanton trajnerin e ri
Udinese ka vendosur t’i besojë pankinën 53-vjeçarit Luca Gotti edhe për sezonin e ardhshëm, pasi zot palët kanë firmosur kontratën e re, që do t’i mbajë të lidhura bashkë deri në verën e 2021-shit.
Lajmi është dhënë nga vetë klubi friulian nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, ku ka njoftuar se ka konfirmuar besimin ndaj Gottit, që drejton Udinesen që prej nëntorit të vitit të kaluar.
Gotti e nisi sezonin që lamë pas si ndihmës i kroatit Igor Tudor, por ky i fundit u shkarkua dhe 53-vjeçari u bë trajner i parë më datën 1 nëntor të vitit të kaluar. Rezultatet e mira dhe loja bindën drejtuesit që të konfirmojnë Gottin, i cili do të ketë edhe një tjetër vit në dispozicion për t treguar aftësitë e tij si trajner.
Ndërkohë po sot skuadra e Torinos ka zyrtarizuar në pankinë trajnerin Marco Giampaolo, i cili ka nënshkruar për dy sezone me “granatat” dhe do të provojë të rikthejë lavdinë e humbur gjatë pak muajve në drejtimin e Milanit.



