Kategoria Superiore

Liga Profesioniste letër kryeministrit Rama, ja kërkesat për rifillimin e futbollit

Pas vendimit të marrë unanimisht pak ditë më parë nga të 10 klubet e Kategorisë Superiore, ku bënë të ditur se do të bojkotojnë kampionatin në sezonin e ri nëse nuk plotësohen kushtet në ligjin e ri për Sportin, Liga Profesioniste e Futbollit është drejtuar edhe në mënyrë direkte nëpërmjet një shkrese zyrtare kryeministrit të vendit Edi Rama.

Ata i kërkojnë qeverisë ndryshimin e ligjit për sponsorizimet, përfshirjen e veprimtarive të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%, faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale të klubeve dhe zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga tatim-fitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve, nga 2 në 10 vite.

letra e Ligës profesioniste, dërguar kryeministrit Edi Rama:

I nderuar zoti Kryeministër !

Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit, në mbledhjen e tyre të datës 5 Gusht 2020,midis të tjerave analizuan edhe situatën financiare në të cilën ndodhen klubet e Kategorisë Superiore në kushtet e pandemisë dhe ndryshimet në paketën ligjore për sportin të miratuar deri tani nga Kuvendi i Shqipërisë.

Situata e tejzgjatur e pandemisë dhe skenarët pesimistë për kapërcimin e shpejtë të saj, kanë dëmtuar financat e klubeve dhe financuesve të tyre, si edhe kanë zbehur në maksimum perspektivën e ofrimit të sponsorave seriozë dhe të qëndrueshëm.

Në këto kushte, anëtarët e Ligës, pas një analize të kujdesshme dhe profesionale, konkluduan se situata e tyre financiare për sot dhe në perspektivë, paraqitet mjaft e vështirë dhe pesimiste për vazhdimin normal të veprimtarisë sportive.

Të ndodhur përballë kësaj situate, anëtarët e Ligës i kërkojnë qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të rishikojnë kuadrin aktual ligjor dhe të marrin disa nisma ligjore në kuadër të mbështetjes së veprimtarive sportive të Kategorisë Superiore, si më poshtë :

1.Ndryshime në ligjin për sponsorizimet duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatim fitimi, pasi varianti aktual nuk është atraktiv për sponsorat, ç’ka e vërteton edhe realiteti i deritanishëm.

2.Përfshirjen e të gjitha veprimtarive ekonomike të klubeve të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6 % , si bujqësia dhe turizmi.

3.Faljen e gjobave dhe kamat vonesave për detyrimet fiskale të klubeve.

4.Zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga tatim fitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve nga 2 vite në 10 vite.

Realizimi i këtyre kërkesave do të mundësojë përmirësimin e gjendjes financiare të klubeve dhe do të rrisë besimin për ofrimin tek komuniteti i futbollit të sponsorave serioze dhe të fuqishëm.

Në rast të kundërt, klubet e Kategorisë Superiore do ta kenë të pamundur financiarisht të vazhdojnë veprimtarinë e tyre dhe do të jenë të detyruara të mos marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore që pritet të fillojë më 12 Shtator 2020.

Mos zhvillimi i kampionatit të elitës së futbollit shqiptar do të përbënte një ngjarje të pa precedent në historinë e futbollit shqiptar, ç’ka nuk ka ndodhur as në vitin e vështirë 1997.

Liga Profesioniste e Futbollit është e gatshme për të diskutuar në momentin më të parë me strukturat përkatëse të qeverisë për gjetjen e një kompromisi në përmbushje të këtyre kërkesave.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency