Shkurt/ Odegaard kthehet te Reali, Lille gjen pasuesin e Osimhen
Real Madridi e ka vendosur tashmë të ardhmen e Martin Odegaard. Mesfushori që shkëlqeu me Sociedad sezonin e kaluar do të rikthehet përpara kohe në bazë, pasi Zidane e do në skuadër dhe ka ndërmend t’i jape shanse të riut. 21-vjeçari ishte huazuar për dy sezone te Sociedadi dhe vetë lojtari do të qëndronte me dëshirë, pasi ishte titullar i padiskutueshëm, por drejtuesit madrilenë kanë njoftuar kolegët baskë për prishjen e akordit dyvjeçar, sepse shihet si një lojtar potencial dhe pasuesi i Modricit te Real Madrid.

Më në fund, pas shumë negociatash, Lille gjen pasuesin e Victor Osimhen. “Bomberi” u shit te Napoli dhe tashmë drejtuesit prej kohësh po negocionin me Gentin për Jonathan David, për të cilin u arrit akordi për 27 mln euro bashkë me bonuse. Sulmuesi kanadez ishte golashënuesi më i mire i sezonit të kaluar me 18 gola në 27 ndeshje dhe ishte zgjedhja e parë e klubit francez, i cili kaloi jo pak konkurentë për të arritur te firma për 5 sezone me talentin 20-vjeçar.

Daniel Sturridge kërkon rilkthimin në Premier League. Pasi përfundoi pezullimin 4 mujor për shkeljen e rregullave të bastvënies, sulmuesi 30-vjeçar dëshiron të luajë sërish në elitën e futbollit anglez, që sipas tij është një mision që për të ende nuk ka përfunduar. Aventura e tij e fundit ishte në Turqi me Trabzonsporin, por kontrata u mbyll me marrëveshje marsin e kaluar dhe tashmë Sturridge po pret ofertën e duhur. Sipas lojtarit, ofertat për të kanë ardhur nga klubet më të rëndësishme në Europë e jashtë saj, por insiston të luajë sërish në Premier League.

Rikthimi i Jorge Jesus te Benfica ka risjellë entuziazmin te drejtuesit dhe tifozët, të cilët duan ta shikojnë ekipin të fitojë sërish trofe të rëndësishëm. Trajneri 66-vjeçar shkëlqeu në stolin e Flamengos dhe tani synon të bëjë të njëjtën gjë me Benficën ndaj kërkon përforcime me cilësi. Për sulmin objektivi kryesor është Luca Waldschmidt i Freiburg, për të cilin po negociohet prej kohësh me drejtuesit e klubit gjerman. 24-vjeçari ka patur një sezon pozitiv me 7 gola e 3 asiste në 23 ndeshje dhe shihet si një lojtar me tepër potencial për drejtuesit e Benficës.




