Hoxha për SuperSport: Short i vështirë, por japim maksimumin për kualifikimin
Në Kupën e Shqipërisë, një gol i tij i shtroi rrugën Teutës drejt fitimit të Kupës. Në të parin sezon pas rikthimit te durrsakët, Rustem Hoxha veshi menjëherë kostumin e protagonistit.
Fjalë-pak, serioz në detyrat e tij dhe mbi të gjitha pjesë e një grupi që solli një trofe në 100-vjetorin e klubit në Durrës. Për Hoxhën me “djemtë e detit” nis tashmë një tjetër sezon.
Nga Europa, aty ku Teuta do të gjejë përballë izraelitët e Beitar Jerusalemit, emri më i vështirë në vazo për Teutën. “Mendoj se na ra ekipi më i fortë i mundshëm, por ne do të bëjmë maksimumin që ta kalojmë me sukses”, tha Hoxha.
Fakti që do të luhet me një ndeshje teke, për Hoxhën mund të jetë një plus për Teutën për të synuar kalimin e turit. “Besoj se është në favorin tonë fakti që luhet gjithçka brenda një ndeshjeje, pasi e njohim më mirë atmosferën në Durrës dhe mund t’ia dalim”, deklaroi mbrojtësi.
Për 100 vjetor Teuta solli Kupën si “dhuratë” për tifozët, ndërsa këtë vit objektivi i parë është kalimi i turit në Europa League dhe vazhdimësia sa më e gjatë në Europë.
“Të kalojmë këtë tur të Europës, ose të paktën të bëjmë maksimumin për t’ia dalë dhe pastaj të shohim çfarë do bëjmë për sezonin tjetër”, u shpreh futbollisti.



