Operohet Ter Stegen, i mungon Barçës deri në nëntor
Portieri i Barcelonës, Marc-André ter Stegen, është operuar me sukses në gjurin e tij të djathtë nga Dr. Ramon Cugat. Koha e përafërt e riaftësimit të plotë të gjermanit do të jetë dy muaj e gjysmë, sipas asaj që kanë theksuar shërbimet mjekësore të klubit të Barcelonës në një deklaratë zyrtare. Një mungesë disi më e gjatë se sa pritej, por që Ter Stegen do të përpiqet ta shkurtojë, duke djegur etapat e rikuperimit.
Përtej çdo skenari pozitiv, kalendari tregon që Ter Stegen nuk do të mund të japë kontribut për “blaugranat” deri në fund të tetorit.
Portieri gjerman ka marrë pjesë në gjithsej 46 ndeshje këtë sezon: 36 në La Liga, 8 në Ligën e Kampionëve dhe 2 në Copa del Rey. Përveç kësaj, ai ka arritur ta mbajë të paprekur rrjetën në 15 raste.



