UEFA penalizon skuadrat e Kosovës, pas Dritës edhe Prishtina eliminohet në tavolinë
Pas Dritës, që i dha fund turit para-eliminator të Ligës së Kampionëve në tavolinë, të njëjtin fat ka pasur edhe skuadra tjetër e Kosovës, Prishtina, e cila pasditen e sotme është njohur nga UEFA me vendimin për humbjen e ndeshjes në tavolinë.
Ky vendim vjen pas ndeshja e planifikuar për t’u luajtur në Gjibraltar përballë vendasve të Lincoln Red IMPS i shty dy herë, duke qenë se disa futbollistë të Prishtinës kishin rezultuar pozitivë ndaj koronavirusit dhe autoritetet atje kishin urdhëruar karantinimin e skuadrës.
Vendimi i UEFA-s është zhgënjyes për skuadrën nga kryeqyteti i Kosovës, e cila kishte mundësi të bënte rrugë në Europë, pasi kishte short të lehtë edhe në turin e parë eliminator, nëse do të kalonte me sukses skuadrën nga Gjibraltari.
Për më tepër, drejtuesit e Prishtinës dyshojnë se në Gjibraltar mund të jetë manipuluar rezultati i testimit, pasi të gjithë futbollistët iu nënshtruan analizave edhe në Kosovë, ku rezultuan negativë ndaj Covid-19.
Kjo është hera e parë në historinë e futbollit, që klubet penalizohen me humbje në tavolinë vetëm se futbollistë të tyre rezultojnë të infektuar nga koronavirusi, ndërsa vendimet e UEFA-s janë vërtetë të çuditshme.
Kjo pasi edhe në nivele të larta ka pasur raste të futbollistëve të infektuar me koronavirus, të cilët janë vendosur na karantinë dhe skuadrat e tyre kanë luajtur normalisht, por mesa duket qeveria europiane e futbollit nuk e ka aspak të vështirë të marrë vendime arbitrare për skuadra të vogla.



