Reagon Skënderbeu, merkato nuk është e bllokuar!
Skënderbeu i këtij sezoni është një kantier i hapur ndërtimi. Pas largimit të shumë titullarëve për të cilët klubi nuk ka dalë me asnjë komunikatë por ka heshtur totalisht, ashtu siç ka bërë edhe me emrin e trajnerit të ri Julian Ahmataj i cili ende nuk është zyrtarizuar në stolin e korçarëve edhe pse ka nisur nga puna. Gjithsesi sëfundmi klubi ka reaguar me një komunikatë pas zërave se për shkak të mos pagesës së gjobës prej 1 milionë eurosh do t’i bllokohet merkato nga FIFA.
“Duke marrë shkas nga lajmi i publikuar në shtypin e shkruar dhe mediat online, KF Skënderbeu mohon kategorikisht se ka një ultimatum, letër apo njoftim zyrtar midis palëve për bllokimin e merkatos si pasojë e gjobës 1 milion Euro të vendosur nga UEFA. KF Skënderbeu vijon punën intensive për sezonin e ri!”, thuhet në reagimin e klubit korçar, që deri më tani nuk ka thënë asnjë fjalë mbi lajmet që qarkullojnë mbi ndryshimin e emrit, falimentin apo për ndonjë dëmtim të mundshëm që mund të marrë nga Komisioni i Etikës, pasi Gjykata Federale e Zvicrës la në fuqi dënimin e UEFA-s (10 sezone jashtë kompeticioneve europiane dhe 1 milion euro gjobë).



