Halili: Treguam karakter, paraqitja e sotme na jep optimizëm për të ardhmen
Tirana u eliminua nga Liga e Kampionëve në turin e dytë të saj, pas humbjes minimale 0-1 përballë serbëve të Crvena Zvezdës, pavarësisht se bardheblutë zhvilluan një 90-minutësh dinjitoz.
Këtë e evidentoi edhe presidenti Refik Halili, që në fjalën e tij për mediat komplimentoi futbollistët bardheblu për grintën dhe karakterin e treguar në fushë dhe premtoi të tjera afrime në ditët e ardhshme.
Sa të zhgënjyer jeni pas një humbjeje si kjo, ku ju mungoi edhe fati?
Bëmë një ndeshje mjaft të mirë dhe luftuam deri në fund, duke treguar se kemi forcë dhe karakter, megjithatë futbolli ky është dhe humbjet janë pjesë e lojës. Gjithsesi për përballjen e mbrëmjes së sotme kam vetëm fjalë të mira në lidhje me atë që dhanë djemtë në fushën e lojës.
A priten të tjera përforcime te Tirana?
Kemi arritur marrëveshjen dhe kemi nënshkruar edhe kontrata me disa lojatrë të tjerë, të cilët janë tashmë pjesë e Tiranës, por për shkak të pandemisë nuk na janë bashkuar ende. Në ditët e ardhshme presim që futbollistët në dispozicion të Egbo të jenë më të shumtë dhe më cilësorë.
Sa besoni te një paraqitje dinjitoze në Europa League tashmë?
Duke parë ndeshjen sot, që ishte shumë më e mirë se ajo në Tbilisi, jam shumë optimist që do të bëjmë mirë. Kjo skuadër ka treguar se nëse luan e angazhuar maksimalisht, arrin rezultatet që do. Për më tepër, me futbollistët që presim, besoj se do të jemi edhe më të fortë.



