Kategoria Superiore

Befason Apolonia, shkarkon Mërgjyshin dhe emëron një italian në pankinë

Pas diçka më tepër se vetëm një muaji nga fitimi i titullit kampion në Kategorinë e Parë, drejtuesit e Apolonisë vendosën për të larguar trajnerin Artan Mërgjyshi. Një lajm që ka shkaktuar vërtet shumë habi, duke patur parasysh faktin që drejtuesit e klubit fierak ndërprenë në këtë mënyrë marrëdhënien, pikërisht me trajnerin që i riktheu bardhejeshilët në Kategorinë Superiore pas një mungese 5-vjeçare.

Edicioni i ri i kampionatit shqiptar fillon pak përpara mesit të muajit të ardhshëm, megjithatë nga sa bëhet e ditur krerët e klubit kanë menduar për të ndërprerë bashkëpunimin me 52-vjeçarin nga Tirana, që ka një përvojë vërtetë të madhe, qoftë si futbollist ashtu edhe në rolin e trajnerit, në dy ligat kryesore në vend.

Një lëvizje e befasishme,për më tepër në një kohë kur Artan Mërgjyshi po bëhej gati për të startuar sezonin në kategorinë elitare, kompeticion ku për herë të fundit trajneri kryeqytetas drejtoi klubin e Laçit, aventurë që gjithsesi në vitin 2018 zgjati afërsisht 3 muaj, deri në fundin e muajit tetor, kur edhe u zëvendësua nga Migen Memelli.

Drejtuesit e klubit fierak vendosën për t’i besuar ekipin në vitin 2019 dhe 52-vjeçari jua shpërbleu besimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke rikthyer bardhejeshilët në Superiore për herë të parë që nga viti 2015. Krerët e klubit do t’ia besojnë stolin një trajneri italian, me një eksperiencë 20-vjeçare në drejtim.

Bëhet fjalë për 54-vjeçarin Giovanni Colella, që sezonin e kaluar drejtoi klubin e Riminit në Serinë C. Trajneri i lindur në Salerno e mori drejtimin e klubit romanjol 19 nëntorin e vitit të kaluar dhe qëndroi në detyrë deri më datën 11 qershor, sidoqoftë bardhekuqtë pas 27 ndeshjeve grumbulluan vetëm 21 pikë gjithsej dhe për pasojë ekipi i Riminit u pozicionua në vendin e fundit në Grupin B, duke rrëshqitur kështu edhe një kategori më poshtë.

Nga sa bëhet e ditur Giovanni Colella njihet me futbollistët, pasi ka mbërritur më herët në qytetin e Fierit dhe është paraqitur si Drejtori Teknik i skuadrës. 54-vjeçari ka një karrierë të pasur prej më shumë se dy dekadash si trajner, megjithëse për hir të së vërtetës ai ka drejtuar në nivele jo shumë të larta të futbollit italian.

Colella e ka filluar karrierën e tij në vitin 1999 te Belluno dhe më pas ka punuar si asitent, koordinator apo dhe si trajner në nivele të ulëta me 19-vjeçarët e Treviso-s, të rinjtë e Monselice-s, ekipin e moshave Mezzocorona, skuadrat e të rinjve te Verona dhe Como, si dhe klube si Sandona, Vigontina, ndërsa pas vitit 2013 ai ka drejtuar ekipe si Como, Renate, Siena, Bassano, Lanerossi Vicenza dhe Rimini.

Edicioni i ri i Kategorisë Superiore starton më datë 12 shtator dhe javën e parë skuadra e Apolonisë do të luajë në Qytetin e Shkodrës, ku klubi fierak do të përballet me Vllazninë në Stadiumin “Loro Boriçi”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency