Martini: Mendjen tek Europa League, por jemi më kompaktë se Tirana
Trajneri i Teutës, Edi Martini, në prag të ndeshjes së Superkupës së Shqipërisë ndaj Tiranës e pranoi se Teuta e ka më shumë mendjen të ndeshja e radhës në Europa League, gjithsesi mbetet dëshira për ta fituar takimin dhe për t’i shtuar një trofe palmaresit të skuadrës durrsake.
Mendja te Europa League: Edhe nëse luan kalçeto me shokët ke dëshirë të fitosh. Megjithatë, ne po përgatitemi për një ndeshje tjetër në Europa League, mendojmë më tepër për atë takim sesa për Superkupën. Gjithsesi, do të jetë një ndeshje mes dy rivalëve që kanë zhvilluar lojëra shumë të bukura njëra me tjetrën. Përtej rezultatit, mendoj se do të jetë një lojë e bukur dhe e fortë.
Teuta, më kompakte se Tirana: Ne thuajse nuk kemi ndryshuar asgjë, përveçse na është larguar Kallaku. Mendoj se ne jemi me grup se Tirana, që gjithsesi ka bërë blerje shumë cilësore dhe ka lojtarë të rinj të talentuar. Më erdhi keq që nuk u kualifikua përballë Zvezdës. Ka bërë një ekip shumë të mirë, megjithatë unë mendoj se jemi më kompaktë.
Ndryshimet në formacion: Do të ndryshojmë, ka lojtarë që kanë nevojë për pushim e disa të tjerë nuk kanë qenë 100 për qind në formë, pasi kanë mbërritur më vonë. Do të mundohem të bëj rotacion.
Milani dhe Tottenhami: Shpresoj që shorti të na vërë përballë kundërshtarin më të dobët të mundshëm në letër. Në Europa League, në një ndeshje teke pa tifozë kundërshtarët janë shumë pranë njëri-tjetrit, duke përjashtuar ekipet e mëdha që pa diskutim bëjnë diferencën. Shpresoj shumë që të kemi fat në short.



