Duro: Feronikeli ka “brumë”, duam të fitojmë gjithçka që në këtë sezon!
Klodian Duro ka besim se do të ringjisë Feronikelin në nivelet më të larta të futbollit kosovar. Pas zyrtarizimit në stolin e skuadrës nga Drenasi, ish-mesfushori i kombëtares shqiptare ka dhënë përshtypjet e tij të para për këtë aventurë të re në një intervistë për mediat. Duro ka nënvizuar se Feronikeli do t’u rikthehet shpejt rezultateve pozitive pasi edhe paraardhësi i tij Afrim Tovërlani ka bërë një punë të mirë. Ish-trajneri i Kukësit theksoi se Feronikeli do të provojë të fitojë gjithçka që në këtë sezon.
“Jam shumë i kënaqur që jam këtu sot në Drenas. Nuk mund t’i thosha jo ofertës së presidentin Naser Ramaj dhe e falënderoj për besimin e madh që ka tek unë. Jemi gjendur mirë bashkë me pjesëtarët e tjerë të Feronikelit dhe po ndihem si në shtëpinë time. Uroj që gjithë së bashkë të bëjmë më të mirën sepse jam në një nga klubet më të mëdha në Kosovë që ka fituar gjithçka dhe gjithmonë synon majat e futbollit. Kemi një grup të mirë futbollistësh dhe kam besim se do ta rikthejmë Feronikelin aty ku e meriton. E falënderoj trajnerin Afrim Tovërlani për punën që ka bërë tek Feronikeli dhe jam i mendimit që gjithë bashkë tu kthehemi sa më shpejt te rezultatet pozitive dhe në fund të renditemi në majë e pse jo të fitojmë gjithçka që fitohet këtë sezon”, u shpreh Duro.



