Letra e Fidel Yllit drejtuar Ligës: Fund bojkotit për të plotësuar kërkesat
Filloni futbollin, me premisë për plotësimin e kërkesave, pa afate në formë ultimatumesh. Është kjo në thelb përgjigjja e të ngarkuarit të kryeministrit, Fidel Ylli, për negociatat me Ligën Profesioniste të Futbollit, që bëri të ditur se do të priste deri të enjten për një përgjigje zyrtare për të vendosur më pas në një takim të premten në lidhje me bojkotin.
Deputeti socialist i është përgjigjur me një shkresë zyrtare organizmit të presidentëve të Superiores, ku, së pari, vlerëson zgjedhjen e Ligës për të nisur procesin e dialogut, si e vetmja rrugë për zgjidhjen, dhe jo ultimatimet ndaj qeverisë. Gjithsesi, deputeti Fidel Ylli shkruan se e gjen të pavend vendosjen nga ana e Ligës të një afati, pasi kjo nuk e shpejton zgjidhjen dhe as nuk i shërben klimës pozitive, pasi qeveria dhe kryeministri e kanë bërë të qartë se nuk negociojnë nën presionin e afateve apo kushteve të vendosura nga palë të tjera.
Deputeti socialist e konsideron të kryer ndërkohë punën nga ana e tij dhe Ministria e Financave, pasi kryeministri Rama ka në tryezë katër opsionet përkatëse për përmbushjen e mundshme të kërkesave të Ligës Profesioniste.
Më tej zoti Ylli bën të ditur se për të katërta kërkesat në fjalë ka një mirëkuptim në parim nga ana e kreut të ekzekutivit, ndërsa shton se duke qenë besimplotë në zgjidhjen e të katër kërkesave, fton miqësisht Ligën që të mos e vonojë procesin me bojkotin e Superiores, që sipas tij mbetet një kusht i papranueshëm për finalizimin e dialogut.
Letra e Deputetit socialist, mbyllet me sugjerimin: Liga Profesioniste të rifillojë aktivitetin, pasi çdo ditë e humbur është në dëm të sportit, por edhe të zgjidhjes së problemit.





