Dinamo dhe Egnatia e nisin me fitore, Flamurtari ndalet nga Turbina e Troisit!
Dinamo e nisi me këmbën e mbarë sezonin e ri të Kategorisë së Parë duke konfirmuar ambiciet e saja për t’u rikthyer në Kategorinë Superiore. Blutë kryeqytetas triumfuan me rezultatin 0-2 në fushën e Erzenit në Shijak falë golave të brazilianit Da Silva dhe italianit Pontrelli. Në ndeshjet e tjera të grupit A, fituan të gjitha skuadrat pretendente teksa Besëlidhja mposhti 3-1 Vorën, Korabi 1-0 Orikun ndërsa Burreli kaloi me goleadë 5-2 Veleçikun. Në grupin B, Egnatia pretendente triumfoi 0-3 në transfertën ndaj Elbasanit. Përfundoi në barazim pa gola sfida mes Flamurtarit dhe Turbinës së Marcelo Troisit në Vlorë, ndërsa Lushnja mposhti 2-1 Besën. Nuk u luajt Pogradeci-Luftëtari pasi nuk u paraqit skuadra gjirokastrite e cila pritet të përjashtohet nga kampionati.



