Mbrëmje magjike për Uzunin, në fund mori edhe fanellën e Ronaldos!
Bëri realitet një ëndërr. Mbrëmjen e 24 nëntorit në Allianz Stadium, Myrto Uzuni do ta mbajë mend gjatë gjithë jetës së tij. 25-vjeçari shqiptar jo vetën që arriti t’i shënonte Juventusit golin që i dha avantazhin provizor Ferencvarosit por festoi në stilin e idhullit të tij Cristiano Ronaldo. Një rrjetë dhe një festim që e vuri në qendër të të gjithë mediave prestigjioze europiane, ndërsa në fund edhe pse italianët ia dolën të përmbysnin golin e tij, Uzuni shijoi një tjetër moment magjik. Beratasi ia doli të merrte fanellën e CR7 idhullit të tij nga fëmijëria, e ndërsa shkëmbyen edhe disa fjalë, me siguri ky do të jetë një nga ato çaste të karrierës që Uzuni mund ta vendosë në kornizë. Madje fjalët e Uzunit e bënë për të qeshur Cristiano Ronaldon që gjithashtu në këtë ndeshje arriti të realizonte një gol.



