Napoli “mat forcat” me Romën, Milani pa Ibrën ndaj Fiorentinës
Napoli do të mundohet të harrojë për fare pak dhimbjen e madhe dhe pikëllimin që ka pushtuar qytetin, për shkak të ndarjes nga jeta të Diego Armando Maradonës, teksa “të kaltërit” do të përballen me Romën në një klasike të futbollit italian. Jo më kot në Apenine një duel i tillë konsiderohet si “derbi i jugut”, pasi duke përfshirë edhe Lazion këto klube vazhdojnë të mbeten të vetmit që ia kanë dalë për të thyer hegjemoninë e ekipeve të veriut.
Kohë më parë, më saktë në vitet 1987 e 1990 Diego i dhuroi titullin klubit nga Campania, duke e futur Napolin në aspektin futbollistik në hartën e botës. Natyrisht Maradona përfaqëson jo vetëm futbollistin ndoshta më të madh të të gjitha kohërave por gjithashtu edhe yllin e pashuar të klubit apo këtij qyteti në qiell.
“El pibe d’oro” konsiderohet me diferencë si futbollisti më i madh që ka hijeshuar ndonjëherë fushat e blerta në Serinë A dhe kapiteni legjendar i Napolit do të nderohet në të gjitha fushat me respektin që meriton, madje kryebashkiaku i Napolit Luigi De Magistris ka përshpejtuar të gjitha procedurat për të përjetësuar emrin e djalit të adoptuar të qytetit mijëravjeçar në Stadiumin San Paolo.
Jo vetëm për popullin napolitan që përfaqëson tifozerinë e katërt në numër në Apenine, por gjithashtu edhe për gjithë admiruesit dhe fansat e tij të zjarrtë anembanë globit Diego Armando Maradona vazhdon të jetë i gjallë dhe kujtimi i tij do të mbetet i paharruar. Emri i tij është i lidhur përjetësisht me historinë dhe folklorin e këtij qyteti. Maradona është vetë Napoli dhe të kaltërit ditën e dielë do të bëjnë cmos për ta nderuar me një fitore të madhe ndaj rivalëve historikë të Romës.
Dikur Careca tregonte se Diego stërvitej një ose dy herë në javë, por vazhdon ish-sulmuesi brazilian nëse Maradona kryente tre seanca stërvitore të gjithë e dinin shumë mirë që do të fitonim sfidën e radhës ndaj çdo lloj kundërshtari, madje me diferencë të madhe golash. E pra, këtë herë duket e vështirë që futbollistët e Napolit të kenë ruajtur përqendrimin e duhur, pas një jave të tillë të trazuar, kur qyteti humbi heroin dhe njeriun që i simbolizonte më mirë.
Në klasifikimin e përgjithshëm pas tetë javëve të para të Serisë A verdhekuqtë numërojnë 3 pikë më shumë se sa të kaltërit, megjithatë skuadra e Gennaro Gattuso-s zbret në fushë pas dy humbjeve radhazi në shtëpi dhe “derbi i jugut” që luhet në rrethana të tilla padyshim rrit akoma më shumë presionin mbi shpatullat e futbollistëve të Napolit. 36-vjet më parë Diego zbriste nga helikopteri dhe pritej në stadium përpara 75.000 vetëve si shpëtimtari i qytetit, ndërsa këtë radhë në tempullin e futbollit napolitan do të ndihet më shumë se kurrë mungesa e spektatorëve dhe bashkëqytetarëve të tij, për arsye të protokollit dhe masave shtrënguese për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Skuadra e Paolo Fonseca-s zbret në Napoli me 11 ndeshje pa humbje në të gjithë kompeticionet, madje Roma i ka fituar rresht pesë takimet e fundit, ndërsa në krahun tjetër në rast të një disfate Gennaro Gattuso mund të bëhet i pari trajner në historinë e Napolit që gjatë karrierës së tij pëson dy ecuri negative me nga tre humbje radhazi. Te vendasit do të mungojë Bakayoko dhe mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi Elseid Hysaj, ndërkohë te skuadra kryeqytetase trajneri portugez përveç dyshes Zaniolo – Pastore nuk do të ketë në dispozicion as mbrojtësin tjetër të kombëtares tonë Marash Kumbulla.
Napoli ka patur përgjithësisht bilanc negativ me Romën, por të kaltërit e kanë ndryshuar ndjeshëm historikën e këtyre përballjeve, për më tepër Napoli ka fituar 2 nga 3 sfidat e fundit mes tyre në kampionatin italian. Derbi i Jugut do të luhet në orën 20:45 dhe do të drejtohet nga kryesori Marco di Bello.
Megjithatë e diela në kampionatin italian do të startojë që në orën 12:30, kur Lazio të përballet me Udinesen në “Olimpico”. Tekniku Simone Inzaghi ka në dispozicion thuajse të gjithë futbollistët dhe do të provojë suksesin e radhës për të rikuperuar pozicionet e humbura në renditje, ndonëse përballë do të ketë një kundërshtar si Udinese, që nuk ka pësuar gol në dy ndeshjet e fundit.
Në orën 15:00 në fushë do të zbresin kryesuesit e Serisë A, kuqezinjtë e Milanit, që do të përballen në “San Siro” me skuadrën e Fiorentinës. Me Piolin ende në izolim për shkak të infektimit nga koronavirusi, në pankinë do të jetë ende Bonera, i cili sot do të duhet të bëjë llogaritë pa praninë e gjigantit suedez Zlatan Ibrahimovic, ndërsa në krahun tjetër Prandelli do të provojë të arrijë fitoren e parë në stolin e skuadrës vjollcë.



