Statistikat/ Ujka dribluesi më i mirë i Superiores, Kukësi me më shumë iniciativa
Kukësi ka në përbërjen e tij futbollistë që kërkojnë më së shumti driblimet në fushën e lojës dhe kjo konfirmohet nga statistikat e publikuara nga Federata Shqiptare e futbollit, me verilindorët që provojnë 38.4 driblime në ndeshje.
Edhe përqindja e saktësisë për skuadrën e drejtuar nga Rrahman Hallaçi, është goxha e lartë me plot 54.2% të driblimeve të realizuara me sukses, teksa më mirë ka bërë vetëm Skënderbeu me 55% të driblimeve të kaluara me sukses, ndonëse korçarët provojnë vetëm 26.87 driblime në ndeshje.
Shumë pak driblime provojnë edhe futbollistët e Vllaznisë kryesuese, vetëm 25.64 për ndeshje, ndonëse me një mesatare mjaft të mirë prej 54.1% të realizuar me sukses, megjithatë vlen të theksohet se arma kryesore e kuqebluve janë kombinimet e shpejta në daljet në sulm.

Edhe sa u përket futbollistëve, është pikërisht sulmuesi anësor i Kukësit, Albin Gashi, ai që provon të kryejë më shumë driblime në një ndeshje, plot 8.76 të tilla, i ndjekur nga Redon Mihana i Apolonisë me 8.38, por që të dy nuk arrijnë të mbyllin me sukses as gjysmën e driblimeve.
Mesfushori i Bylisit, Serxho Ujka është dribluesi më i mirë i Superiores, pasi ka realizuar me sukses plot 60% të tentativave që realizon dhe që janë plot 6.79 driblime për ndeshje.




