Lajm i keq për Kosovën, Ibra grumbullohet nga Suedia pas thuajse 5 vitesh
Ajo që ishte përfolur prej ditësh, tashmë është zyrtare. Zlatan Ibrahimovic është grumbulluar nga trajneri i Suedisë Janne Andersson për tre ndeshjet e fund-muajit, të vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022.
Tekniku suedez ka publikuar listën finale mbrëmjen e sotme dhe bie në sy rikthimi pas thuajse 5 vitesh i Ibrës, pasi herën e fundit që gjiganti ka veshur fanellën e përfaqësueses nordike daton më 22 qershor të 2016-ës në Europianin e Francës.
“Është bukur të shohësh që Ibra dëshiron të rikthehet në Kombëtare. Ka një eksperiencë të jashtëzakonshme për të transmetuar te ekipi, ndaj jam i kënaqur që do ta kemi mes nesh për ndeshjet e radhës. Mezi pres të takohem me të dhe djemtë e tjerë, pasi na mungon grumbullimi prej muajsh”, tha Andersson.
Por marrëdhëniet e teknikut të Suedisë me Ibrahimovic nuk kanë qenë aspak të mira gjatë viteve të fundit, pasi 39-vjeçari e ka akuzuar vazhdimisht Andersson se nuk merr në konsideratë futbollistët që nuk kanë origjinë suedeze.
Gjithashtu më herët Ibra e ka kritikuar Andersson edhe gjatë Kupës së Botës 2018 në Rusi, duke e quajtur jo kompetent për të drejtuar përfaqësuesen, por edhe në një ndeshje ku nuk aktivizoi Kulusevskin.
Vlen të theksohet se një nga tre ndeshjet e Suedisë në fund të muajit Mars, është edhe ajo ndaj Kosovës më datën 28 në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.



