Gasperini rrezikon të humbë finalen e Kupës, prokuroria anti-doping kërkon pezullimin
Prokurori anti-doping në Pierfilippo Laviani ka kërkuar një pezullim prej të paktën 20 ditësh të trajnerit të Atalantës, Gian Piero Gasperini, pasi ky i fundit ka protestuar dhe ofenduar inspektorin e Agjencisë Anti-Doping (NADA), që ishte paraqitur për të testuar disa futbollistë të zikaltërve.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në shkurt të këtij viti, ku inspektorët e NADA-s u paraqitën në qendrën stërvitore të klubit bergamask dhe kërkuan të kryejnë testet anti-doping për 4 futbollistë të Atalantës.
Trajneri Gasperini ka protestuar dhe ka kundërshtuar kryerjen e testit, por më pas gjithçka është realizuar në përfundim të seancës stërvitore, falë ndërmjetësimit me mjekun e skuadrës zikaltër.
Megjithatë prokurori Laviani ka referuar çështjen e Gasperinit në Gjykatën Sportive dhe ka kërkuar pezullim prej 20-ditësh, që më pas u shndërrua në një ofertë për marrëveshje për pezullim 10-ditor.
Vetë tekniku bergamask nuk pranoi fajësinë dhe as marrëveshjen për pezullim 10-ditor, duke kërkuar zhvillimin e një seance gjyqësore, e cila pritet të mbahet më 10 maj dhe nëse gjykata vendos pezullimin e Gasperinit, atëherë ky i fundit nuk do të jetë në pankinë në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit.
Klubi i Atalantës refuzoi komentet për këtë çështje, duke u mjaftuar me një përgjigje ku thekson se gjithçka do të vendoset në seancën gjyqësore të 10 majit dhe se deri atëherë nuk mund të komentojë asgjë.



