Plotësoi numrin e paraqitjeve, Maxime Lopez blihet përfundimisht nga Sassuolo
Mesfushori franko-algjerian Maxime Lopez është bërë zyrtarisht futbollisti i Sassuolos, skuadër me të cilën aktivizohet që nga fillimi i këtij sezoni. Futbollisti 23-vjeçar kishte ardhur në huazim me detyrim blerjeje nga francezët e Marseille.
Kushti për detyrimin e blerjes ishte që Lopez të plotësonte numrin e 20 ndeshjeve me të paktën 30 minuta aktivizim në fushë dhe kjo shifër u arrit mbrëmjen e djeshme, kur luajti titullar ndaj Beneventos.
Për kartonin e mesfushorit Sassuolo do të duhet të paguajë dy milionë euro në arkat e Marseille, por kjo shifër nuk shqetëson aspak klubin emilian, pasi aktualisht vlera e Lopez në treg llogaritet rreth 10 milionë euro.



