Teuta-Tirana, sfidë e paparashikueshme në Durrës!
Një nga takimet më të rëndësishme të javës së 29-të do të luhet këtë të shtunë në orën 16:00 në Durrës mes Teutas dhe Tiranës. Fituesja e Kupës dhe e Superkupës përballë kampiones në fuqi. “Djemtë e detit” synojnë t’i marrin pikërisht fronin bardhebluve në kampionat. Prej një viti Teuta ka patur një ecuri shumë të favorshme kundër Tiranës. 6 ndeshje pa u mposhtur përballë kryeqytetasve, ndër të cilat 5 fitore e 1 barazim. Në 3 sfidat e këtij sezoni ka fituar 2 dhe barazuar një, teksa i morri bardhebluve Kupën e Superkupën duke i fituar të dyja finalet.
Skuadra e Edi Martinit ka një seri të konsiderueshme pathyeshmërie në kampionat. 11 janë ndeshjet pa humbje për durrsakët në Superiore, ndërsa fitoret radhazi janë 3 për Teutën. Në takimin ndaj Tiranës nuk do të jetë një prej lojtarëve kryesorë që është Lorenco Vila. Sulmuesi ka plotësuar numrin e kartonëve, gjithsesi Martini ka alternativa që mund ta zëvendësojnë, siç është Gruda i cili bëri mirë në Korçë, teksa Dejvi Bregu është njeriu ku i ka kthyer sytë trajneri përsa i përket realizimit të golave.
Ndërkoha Tirana vjen nga dy barazime të njëpasnjëshme dhe duhet të ndryshojë kurs për të siguruar një vend në paraeliminatoret e Conference League. Trajneri Orges Shehi pritet t’i besojë sërish në sulm treshes Torassa, Cale, Seferi. Bardheblutë nuk fitojne ndaj Teutës që nga 2 shkurti i 2020-ës, kurse fitorja e fundit e 26 herë kampionëve në “Niko Dovana” daton më 14 Prill të 2019-ës. Një sfidë shumë e rëndësishme, si për Teutën që ka si objektiv të mbajë kreun po ashtu edhe për Tiranën që kerkon të evitojë përjashtimin nga gara për Europën.



