Darmian “heroi” i Interit, Juventusi barazon me Fiorentinën, tani rrezikon dhe Championsin
Interi edhe më pranë titullit në Serinë A. Skuadra zikaltër fitoi 1-0 kundër Veronës dhe shkon +13 pikë nga Milani, që luan këtë të hënë me Lazion në “Olimpico”. Heroi Interit në këtë sfidë ishte Matteo Darmian, që realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 76-të pasi u shërbyer nga Hakimi. Një sukses që ngriti peshë stolin zikaltër, pas dy barazimeve radhazi kundër Spezias dhe Napolit.
Juventusi praktisisht jashtë garës për titullin e Serisë A por po vë në rrezik edhe pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm. Skuadra bardhezi u ndal në një barazim 1-1 përballë Fiorentinës në javën e 33-të të elitës italian, duke u hapur oreksin Atalantës dhe Napolit për vendin e tretë dhe të katërt. Një pikë që i vlen pak “Zonjës së Vjetër” e shumë më tepër skuadrës vjollcë për të siguruar sa më parë mbijetesën.
Në “Artemio Franchi” takimi u zhbllokua nga një penallti e akorduar nga sistemi VAR (27’), për prekje me dorë të topit nga Rabiot, nga Dusan Vlahovic, që guxoi madje të godiste me stilin “cucchiaio” përballë Szczesny-t, me portierin polak që u hodh në njërin krah, pa patur mundësi të ndalonte topin.
Pak më herët (21’) Erik Pulgar kishte goditur shtyllën, ndërsa Vlahovic pretentoi 11-metërsh (22’) pas rrëzimit në zonë në një duel me një mbrojtës. Në fundin e pjesës së parë Ramsey iu afrua shumë barazimit, por goditja e tij përfundoi jashtë (43’).
Juventusi e gjeti golin e barazimit sapo nisi pjesa e dytë me Alvaro Moratan, që e dërgoi topin në rrjetë në një pozicion dhe kënd shumë i vështirë, falë një goditjeje spektakolare e cila përfundoi aty ku shtylla bashkohet me traversën.
Fillimisht u dyshua për pozicion jashtë loje në momentin e pasimit të Cuadrados për spanjollin, por pas verifikimit të pamjeve Massa nuk e ktheu golin.
Në minutat e mbetura munguan rastet e pastra për shënim e për rrjedhojë rezultati i fillimit të pjesës së dytë nuk ndryshoi, me vërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit që sanksionoi barazimin, që më shumë i vlen Fiorentinës në objektivin e mbijetesës.
Roma humb trenin që mund ta afronte me zonën Champions në Serinë A. Skuadra verdhekuqe dështoi të merrte pikë në fushën e Cagliarit, nga u kthye me disfatë 3-2.
Pa u mbushur katër minuta lojë, ishullorët kaluan në epërsi me Lykogiannis, ndërsa në të 27-tën ktheu ekuilibrat në rezultat Perez. Marin shënoi sërish për Cagliarin në të 57-tën, për të ardhur te goli i 3-1 i realizuar nga Joao Pedro.
Roma ngushtoi diferencën në 3-2 me Fazion në minutën e 69-të, por që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e ekipit të Fonsecas.



