Joseph Parker mposht Derek Chisoran me vendim të jurisë
Joseph Parker mposhti pas 12 raundeve britanikun Derek Chisora, duke fituar titullin vakant ndërkontinental të peshave të rënda në Federatën WBO. Një fitore e vështirë, por tepër e rëndësishme për boksierin nga Zelanda e Re, që tashmë mund të pretendojë sërish për ndeshje të mëdha dhe shumë fitimprurëse për të, ndërkohë në krahun tjetër kjo disfatë ridimensionon ndjeshëm karrierën e veteranit britanik, që në moshën 37-vjeçare humbet terren duke rrëshqitur në fund. Tani gjërat ndërlikohen vërtet shumë dhe boksieri I lindur në kryeqytetin e Zimbabves, Harare, duhet të nisë gjithçka nga e para për t’u ngritur, megjithatë situata mund të ishte krejtësisht e ndryshme dhe karriera e Derek Chisora-s me shumë gjasa do të kishte marrë një rrjedhë tjetër, pas “knockdown”-it që pësoi boksieri zelandez.
Boksieri britanik e nisi vrullshëm duelin, si zakonisht, duke e vënë në vështirësi menjëherë kundërshtarin e tij. Takimi u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar, pikërisht në ringun e Manchester Arenas. Kishin kaluar vetëm 10” kur pas një kombinimi shumë të shpejtë, e majtë e djathtë, Dereck Chisora e hodhi “knock down” rivalin e tij. Një situatë tepër e vështirë, megjithatë Chisora nuk përfitoi dot nga ai moment dhe Joseph Parker ia doli mbanë për të kontrolluar grushtet e kundërshtarit, duke duruar deri në fundin e raundit hapës.
Pasi u ul në vendin e tij 29-vjeçari nga South Auckland e mblodhi veten dhe u ngrit i qetë, duke përmirësuar pak e nga pak gjendjen e pikëve. Ish-kampioni i botës doli në mënyrën e tij të luftimit e boksoi lirshëm, ndërkaq në anën tjetër Dereck Chisora filloi të vuajë peshën e viteve dhe të ndjejë grushtet e kundërshtarit, e në mënyrë të pashmangshme edhe lodhjen, duke e humbur duelin me vendim te jurisë.



