Kategoria Superiore

Superiorja ndizet me Vllaznia-Teuta, në fushë edhe Laçi e Partizani

Java e 31-të e Kategorisë Superiore startoi dje me dy nga 5 ndeshjet e programuara,rezultatet e të cilave komplikuan edhe më shumë llogaritë sa i përket zonës së mbijetesës, pasi Kastrioti, Bylis e Skënderbeu do të duelojnë deri në fund për të shmangur rënien.

Megjithatë sot vëmendja do të spostohet në një tjetër garë, atë për titullin kampion, që aktualisht lakmohet nga plot 4 skuadra dhe vëmendja maksimale do të jetë në “Loro Boriçi” ku do të zhvillohet edhe përballja direkte mes Vllaznisë e Teutës.

Gjatë javëve të fundit të dy skuadrat kanë shkëmbyer vendet në krye dhe tani vendi i parë mbahet nga durrsakët, ndërsa kuqeblutë nga Shkodra do të kërkojnë fitoren për të rimarrë edhe njëherë kryesimin.

Të dy trajnerët kanë organikën e plotë në dispozicion dhe do të zgjedhin më të mirët për të përballuar këtë 90-minutësh, që mund të vendosë jo pak sa i përket garës për titullin kampion.

Po në orën 18:00 Partizani do të presë Apoloninë në një sfidë të lehtë në letër për të kuqtë, por në fushë nuk pritet aspak e tillë pasi fierakët po tregojnë se duan të respektojnë maksimalisht kampionatin edhe pse janë me një këmbë në Kategorinë e Parë.

Më herët, në orën 15:00 vëmendja do të jetë në Laç, ku pas barazimit 2-2 me Partizanin, kurbinasit do të përballen me Kukësin në një ndeshje mjaft të rëndësishme sa i përket garës për titullin. Bardhezinjtë kanë lënë shumë pikë gjatë javëve të fundit dhe një tjetër rezultat negativ sot do t’i nxirrte plotësisht nga gara për kreun.

Të tre takimet do të vijnë ekskluzivisht në ekranin e Supersport, bashkë me emisionin dedikuar Superiores “Gol pas Goli”, ku nuk do të mungojnë analizat, komentet e intervistat e protagonistëve pas ndeshjeve.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency