Finalja në Portugali, Man. City paguan shpenzimet e udhëtimit për tifozët
Përkundër vështirësive të pandemisë, Manchester City po bën një sezon në kufijtë e perfektes, pasi ka siguruar titullin kampion në Angli, ka fituar Carabao Cup dhe do të provojë të ngrejë lart për herë të parë në histori edhe Ligën e Kampionëve.
“Citizens” ia kanë dalë të kalojnë në finale, ku do të diskutojnë trofeun me Chelsean në stadiumin “Da Luz” të Benfikës, ndërsa pronari i klubit nga Manchesteri, sheiku Mansour u ka bërë një dhuratë tifozëve të skuadrës.
Kështu në një komunikatë të shpërndarë në faqen zyrtare, klubi ka marrë përsipër të gjithë shpenzimet e tifozëve që do të udhëtojnë për të ndjekur finalen në Portugali, që nga biletat e avionit e deri te testet PCR e të tjera.
Nga ky gjest i bukur pritet të përfitojnë mijëra tifozë të klubit, që kanë planifikuar të ndjekin live finalen e “Da Luz”-it, teksa në komunikatë evidentohet fakti që edhe fansat e skuadrës kanë vuajtur jo pak gjatë periudhës së pandemisë.



